Inter kualifikohet për në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, por për të arritur këtë sukses, ka vuajtur së tepërmi ndaj Bologna-s.
Në “San Siro” janë dashur kohët shtesë, në mënyrë që zikaltrit të mposhtnin kuqeblutë e Pioli-t, me golin 3-të të shënuar nga Ranocchia në minutën e 120-të.
Gjatë 90 minutave të kohës së rregullt, Bologna kishte arritur të rikuperonte disavantazhin e dy golave (Guarin e Palacio për Inter), falë dy golave të shënuar nga Diamanti dhe Gabbiadini, në të 80-n dhe 84-tën respektivisht.
Pavarësisht të gjitha peripecive, Inter në fund ka siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kupës, gjë që për Stramaccioni-n është shumë e rëndësishme.
E quajnë “Inter i çmendur”, por një arsye duhet të ketë për këtë pseudonim. Nga një ndeshje thuajse e mbyllur në minutën e 80-të, pasi kështu dukej deri në atë moment, shkohet papritur në kohët shtesë.
Në 10 minutat e fundit është vënë re një Bologna super e motivuar, sërish e adhurueshme në Kupën e Italisë, e cila ka dhënë zemrën në fushë, për t’i prishur sado pak punë zikaltërve.
Të besuarit e Pioli-t, jo vetëm që shënojnë dy gola gjatë këtij minutazhi, por shpërdorojnë edhe kalimin në avantazh, pasi topi i goditur nga Ranocchia preku shtyllën, si dhe prej mrekullive të Handanovic kundër Kone-së dhe Gabbiadini-t.
Top Channel