Drejtuesi i një prej shoqatave “LBGT” në Malin e Zi, Daniel Kaleziç, informoi se kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e një parade të dytë të krenarisë në muajt e verës, në kryeqytetin Podgoricë.

Mali i Zi realizoi gjatë vitit të shkuar dy parada në mbështetje të të drejtave të këtij komuniteti, në Podgoricë dhe Budva.

Të dy këto manifestime u shoqëruan me shumë tension, ndërsa forca të shumta policie “blinduan” pjesëmarrësit përballë kërcënimeve për agresion nga ana e homofobëve dhe ekstremistëve të djathtë.

“Nuk ka dyshim që do të ketë një paradë gey në Podgoricë”, deklaroi Kaleziç, “por këtë herë ajo do të jetë e përbërë eksluzivisht prej personave homoseksualë”.

Sipas tij, një vendim i tillë është marrë për të inkurajuar personat “LBGT”, që të hedhin një hap më shumë drejt deklarimit dhe pranimit të seksualitetit të tyre.

Njëkohësisht, parada pritet të shërbejë për të dhënë edhe një mesazh sensibilizues, pasi Mali i Zi mbetet një prej vendeve më homofobe në Ballkan dhe në Europë.

Në një sondazh të realizuar së fundmi, 3/4 e popullsisë u shprehën se vendi nuk është ende i përgatitur për mbajtjen e këtyre aktiviteteve, ndërsa 46,5% thanë se paradat gay nuk duhet të lejohet kurrë që të mbahen në Malin e Zi.

Top Channel