Lidhja Demokratike e Kosovës nxjerr një bilanc tepër negativ për punën e qeverisë gjatë dy mandateve të kryeministrit Hashim Thaçi në sektorin e ekonomisë.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore dhe institucioneve të tjera të besueshme, ekspertë të LDK-së vlerësojnë se qytetarët e Kosovës janë dy herë e gjysëm më të varfër se qytetarët e Bosnjës dhe Maqedonisë e shumë më të varfër se qytetarët e secilit vend të Bashkimit Europian.

“Duke parë Prodhimin e Brendshëm Bruto për person, duket qartë që qytetarët e Bosnjes janë dy herë e gjysmë më të pasur se sa qytetarët e Kosovës”, tha Avdullah Hoti, ekspert ekonomik i LDK-së.

Në këtë kuadër eshtë rritur niveli i papunësisë e po kështu investimet e huaja që do të lehtësonin këtë problem edhe në vitin 2012 kanë pësuar rënie për 50 milion euro.

Kjo situatë përfshin largimin e investitorëve të huaj, për shkak të korrupsionit që sipas LDK-së ka prekur kulmin.

“Në 2007-n, kur Kosovën e qeveriste UNMIK-u me një administratë buroktratike, investimet e huaja kapnin vlerën e 429 milionë eurove. Këto të dhëna, praktikisht tregojnë se investimet e jashtme, si përqindje e PBB-së, kanë rënë me kalimin e viteve nga 13% në 2007-n, me vetëm 7% në 2012-n, me një rënie mesatare prej 21% në baza vjetore. Normalisht që importet do të rriten dhe investimet do të bien, në një ekonomi ku korrupsioni është në kulm”, shtoi Hoti.

Ndërsa importet kanë shënuar mjaft rritje, eksportet sipas të dhënave zyrtare në tri vitet e fundit kanë rënë për 47%. Sipas LDK-së do të thotë që edhe prodhimi i produkteve bujqësore po shkon drejt rënies.

Kjo ilustrohet edhe me faktin se kosovaret importojnë rreth 560 milionë euro produkte bujqësore. Janë këto fakte të cilat sipas Avdullah Hotit ilustrojnë përformancën e qeverisë së Kosovës. Ndërsa si zgjidhje ai paralajmëroi programin qeverisës të LDK-së.

Sipas këtij trendi në ngecje të zhvillimit ekonomik LDK-ja vlerëson se Kosovës do t’i duhen edhe 17 vjet për t’i arritur standardet zhvillimit ekonomik dhe social në Bashkimin Europian.

Top Channel