Epidemi kolere në Kubë

15/01/2013 17:45

Ministria e Shëndetësisë në Kubë konfirmoi prekjen e të paktën 51 personave nga kolera në kryeqytetin Havanë, në shpërthimin më të madh të epidemisë në disa vite.

Në një komunikatë zyrtare, të publikuar ditën e martë, pranohej se pas shtrimit të disa personave në spital me diarre dhe temperaturë të lartë, u përcaktua se kjo gjendje shkaktohej si rrjedhojë e kolerës.

Burimi i sëmundjes është identifikuar një shitës ambulant i një “fast-food”-i, i cili ka përhapur bakterin tek klientët e tij.

Skuadra mjekësh janë shpërndarë në kryeqytet, me qëllim që të identifikojnë persona të tjerë që mund të jenë prekur, ndërsa të paktën dy persona kanë  ndërruar jetë nga kolera.

Ndonëse e zhdukur në vendet e zhvilluara, kolera preku 3-5 milionë persona në të gjithë botën në vitin 2010, duke shkaktuar 100-130 mijë viktima.

Top Channel