Në një kohë kur debati dhe shqetësimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore janë më të nxehta se kurrë, një lajm i mirë vjen nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një projekt të mbështetur nga Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, Z.Arvizu ka nënshkruar një marrëveshje për dhënien e një granti prej 103 mijë dollarësh, Qendrës për Studime Albanologjike.
Alexander Arvizu, ambasador i SHBA-së në Tiranë, theksoi: “Kur erdhëm më herët për të parë situatën këtu, u ndjemë zemërthyer teksa pamë kushtet në të cilat strehoheshin, lagështirën e madhe dhe mykun në të cilin gjendeshin disa prej artifakteve më të rëndësishme të historisë. Jam mëse i bindur se ky është granti i duhur për projektin e duhur dhe shpresojmë se ai do të ndihmojë për të përmirësuar situatën sepse do të ndihmojë për rinovimin e qendrës dhe krijimin e një godine ruajtëse me cilësitë që duhen për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të këtij koleksioni.”
Fondi i Ambasadorit është krijuar para 10 vjetësh për të dhënë ndihmesë financiare në mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. Që prej krijimit, me këtë fond janë financuar mbi 700 projekte në mbi 100 vende të botës. Cdo vit miratohen rreth 10 projekte nga qindra të paraqitur nga ambasada të ndryshme të Shteteve të Bashkuara në mbarë globin.
Ky është projekti më i madh i aprovuar për Shqipërinë, ndër 9 grantet e dhëna deri më sot. Me anë të tij do të bëhet e mundur ruajtja e mbi 20 mijë objekteve dhe artifakteve që ndodhen në fondin e Institutit të Albanologjisë, rreth 18 mijë prej të cilave nuk janë të ekspozuara dhe ruhen në kushte jo të favorshme e rrezikojnë dëmtime serioze.
Top Channel