Rusi, zbulohet super-sulmi informatik

14/01/2013 21:55

Një super-sulm informatik, përmes të cilit mund të jenë vjedhur dokumente konfidenciale që prej vitit 2007, është zbuluar nga autoritetet ruse.

Laboratori Kaspersky tha për BBC se sulmi kishte shënjestruar institucionet qeveritare, ambasada, qendra të kërkimeve nukleare, si dhe institucionet e gazit dhe naftës.

Sipas burimit, sulmi informatik ishte projektuar për të vjedhur dosje të kriptuara dhe madje ishte në gjendje të rekuperonte dosje që ishin fshirë në sistemet kompjuterike.

“Fokusi kryesor i kësaj fushate ishin vende në Evropën Lindore, ish-vende të Bashkimit Sovietik dhe vende në Azinë Qendrore, edhe pse viktima të tij mund të gjenden kudo në botë, përfshirë në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut”, deklaroi Laboratori Kaspersky në një komunikatë për shtyp.

Sipas njoftimit, objektivi i agresorëve elektronikë ishte të mblidhnin informacione jetike nga organizata të kompromentuara, përfshirë këtu ato të llojit gjeopolitik, kredenciale për të hyrë në sisteme kompjuterash të rezervuar dhe të dhëna nga telefonat celularë e objekte elektronike personale.

Top Channel