Obama paralajmëron republikanët

14/01/2013 21:35

“Amerika nuk është një komb i raskapitur”, ka thënë presidenti amerikan Barack Obama, duke paralajmëruar republikanët që të mos mbajnë peng rritjen e kufirit të borxhit.

Obama tha në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se do të ishte absurde që tavani i borxhit të përdorej si një “mall këmbimi” në negociata.

Kryetari i Dhomës së Republikanëve, John Boehner deklaroi se rritja e kufirit të borxhit duhet të shoqërohet me shkurtimin e shpenzimeve.

Shtetet e Bashkuara pritet të arrijnë në muajin shkurt kufirin e tyre të borxhit, prej 16.4 miliardë dollarësh, nëse ligjvënësit nuk veprojnë.

Konferenca e ditës së hënë vjen një javë përpara ceremonisë së përurimit në Uashington DC, që do të shënojë nisjen e mandatit të dytë për zotin Obama.

Presidenti demokrat paralajmëroi ligjvënësit se “nuk do të marrin shpërblim ndaj kërcënimit për shkatërrimin e ekonomisë”.

“Fuqia ekonomike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është mall për pazare, prandaj ata (republikanët) bëjnë mirë të vendosin shpejt sepse koha po mbaron”, theksoi Obama.

“Amerika nuk mund të përballet me një tjetër debat në Kongres, nëse duhet apo jo të paguajë fatura të cilat ne i kemi varur në gozhdë. Ne nuk jemi një komb i raskapitur”, nënvizoi presidenti.

Më vonë, zoti Boehner u shpreh i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset ekonomisë nëse nuk rritet tavani i borxhit, por ai i bëri të qartë Shtëpisë së Bardhë se ky vendim duhet të shoqërohet me shkurtimin e shpenzimeve për çdo legjislaturë për të rritur autoritetin e huamarrjes.

Top Channel