Partia më e madhe opozitare, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, mund t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 24 marsit, nëse bashkë me to nuk mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Opozita maqedonase kërkon që qytetarët të zgjedhin një qeveri të re demokratike, pasi shumica aktule ka humbur legjitimitetin pas dhunës ndaj deputetëve dhe gazetarëve në Kuvend muajin e kaluar.

“Ne ende presim mirëkuptim nga qeveria në mënyrë që të mund të arrijmë me marrëveshje që zgjedhjet lokale të mbahen bashkë me ato parlamentare. Mendoj se ende ka kohë të kapërcehet kjo situatë. Nëse ekziston vullnet politik tek pushteti, ne mund të ulemi dhe të disktojmë për të arritur marrëveshje për kërkesat tona kryesore”, ka deklaruar Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.

Por, partia e kryeministrit maqedonas, VMRO-DPMNE, vlerëson se në mars nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse në Maqedoni brenda 6 viteve janë mbajtur tre herë zgjedhje parlamentare.

Kjo parti një ditë më parë i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe përmes dialogut të arrihet zgjidhje për situatën politike në vend.

Nga ana tjetër, të hënën opozita edhe një herë ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të kthehet në Parlament dhe se do të vazhdojë me protestat në rrugë.

“Në këtë situatë, kur institucionet në Maqedoni janë të pushtuara nga regjimi i Gruevskit, mosbindja civile dhe demokracia rrugore janë instrumentet e vetme që na kanë ngelur. Thirrjet që opozita të kthehet në Kuvend, prej ku na dëbuan me dhunë, nuk do të ndikojnë që të tërhiqemi nga qëllimi ynë që Kushtetuta dhe ligjet të jenë parimet bazë për funksionimin e vendit”, ka theksuar Georgiev.

Kriza politike në Maqedoni po ndiqet edhe nga diplomatët e huaj, të cilët i kanë bërë thirrje deputetëve maqedonas të opozitës që të kthehen në Kuvend.

Top Channel