Fituesi i skualifikuar i shtatë Tureve të Francës, Lance Armstrong, kërkoi falje për herë të parë që prej muajit tetor, kur një hetim e damkosi si mashtruesin më të madh në historinë e sportit dhe i hoqi të gjithë titujt e fituar në mbi 12 vjet karrierë.
Pasi hetimi i brendshëm i Federatës Amerikane Anti-Doping (USADA) përpiloi një raport prej mbi 200 faqesh që dokumentonin përtej çdo dyshimi dopimimin e 41-vjeçarit gjatë të gjithë karrierës së tij që prej vitit 1998, Armstrong kishte zgjedhur të mos komentonte.
Për herë të parë që prej zbulimit të këtij skandali, Armstrong i kërkoi ndjesë bashkëpunëtorëve të “Fondacionit Livestrong”, të krijuar prej tij me qëllim që të grumbullojë fonde në luftën kundër kancerit.
Nuk është e qartë nëse Armstrong, i mbijetuar i nje tumori te avancuar ne testikuj, kërkoi një ndjesë më te gjerë nga i gjithë publiku dhe fansat e tij, pasi intervista e plotë në studion e prezantueses amerikane Oprah Winfrey do të transmetohet të enjten.
Mediat ndërkombëtare publikuan këtë të hënë vetëm disa sekuenca të shkurtra, nga intervista e xhiruar tashmë.
Nëse 41-vjeçari do të pranojë në këtë intervistë fajësinë e tij, kjo do të jetë hera e parë që do të ketë një pohim të fajit prej teksanit.
Pas vendimit për heqjen e të gjithë titujve, Armstrong deklaroi vetëm se “ndihej i lodhur me betejat me drejtësinë” dhe se “ndonëse ishte i pafajshëm, nuk do të apelonte ndaj këtij vendimi”.
Top Channel