Libi, plumba ndaj konsullit italian

13/01/2013 10:30

Një diplomat italian ra pre e një atentati në qytetin e dytë më të madh në Libi, në Bengazi, raportuan të dielën mediat ndërkombëtare.

Për fat të mirë, Guido de Sanctis, konsulli italian në këtë qytet, nuk u lëndua në këtë sulm ndaj jetës së tij.

Diplomati u qëllua ndërsa ishte duke udhëtuar në makinën e ambasadës, e cila ishte e pajisur me xhama antiplumb, fakt të cilin atentatorët nuk e dinin.

Një ngjarje e tillë rikthen në kujtesë sulmin e ndodhur në 11 shtator 2012 ndaj konsullatës amerikane në të njëjtin qytet, i cili rezultoi fatal për ambsadorin Christopher Stevens dhe tre diplomatë të tjerë amerikanë.

Në muajt e fundit ka pasur një rritje të numrit të goditjeve ndaj selive diplomatike në Libi, pavarësisht se autoritetet janë shprehur se do të marrin masa për të luftuar këtë fenomen.

Mbetet e paqartë se sa do të ndikojë ky atentat në marrëdhëniet e ngushta italiano-libiane.

Top Channel