Franca në alarm nga rreziku terrorist

13/01/2013 08:55

Presidenti i Francës, Francois Hollande, i dha urdhër autoriteteve që të rrisin nivelin e sigurisë në të gjithë vendin e veçanërisht në qendrat e transportit e vendet publike, për shkak të rrezikut të vendosjes së vendit në shënjestrën e militantëve islamikë pas ndërhyrjeve në Afrikë.

Aktualisht, gjuajtës francezë janë duke bombarduar nga ajri bazat e rebelëve ismalikë në Mali dhe në Somali.

Ditën e shtunë, një pilot u vra në aksion ndaj militantëve malezë, ndërsa në Somali humbën jetën dy komando, të cilët po përpiqeshin të lironin një ushtar të marrë peng, i cili besohet se gjithashtu nuk është më në jetë.

Pas ndërhyrjes në Afrikë, grupe militante të lidhura me “Al-Kaedën”, si “Al-Shabab” apo “Ansar Dine” premtuan “pasoja të rënda” për Parisin zyrtar, duke paralajmëruar sulme vetvrasëse në qytetet kryesore franceze.

Siç raportoi të dielën “AFP”, rritja e nivelit të gatishmërisë në Francë do të fokusohet kryesisht në përforcimin e sigurisë pranë institucioneve, aeroporteve, stacioneve të trenit dhe ambientet e tjera ku regjistrohen grumbullime publike.

Aktualisht, niveli i alarmit është “i kuq”, kod i cili shpreh nivelin e dytë më të lartë të rrezikut në kohë paqeje.

Top Channel