Romanca e Britney Spears me Jason Trawick ka marrë fund, vetëm pak orë pasi këngëtarja njoftoi edhe shkëputjen e njëanëshme të kontratës së lidhur me një show muzikor në Shtetet e Bashkuara.
Është vetë Spears ajo që komunikoi ndarjen me anë të një deklarate të lëshuar për mediat.
“Jason dhe unë vendosëm bashkarisht t’i japim fund lidhjes sonë. Unë e admiroj atë. Ai ka për të mbetur një ndër miqtë më të mirë për mua”, thuhet në deklaratën e këngëtares.
Ndarja u konfirmua edhe nga një zëdhënës i çiftit që tha se Britney dhe Jason vendosën t’i japin fund lidhjes së tyre 1-vjeçare, por jo miqësisë.
Mediat gossip në SHBA e lidhin ndarjen me kërkesën e këngëtares për të patur një fëmijë me Jason, që përvec partnerit ishte edhe menaxheri i saj. Por ky i fundit nuk ka qenë gati për një hap të tillë, ndaj është vendosur që ndarja të ishte zgjidhja më e mirë për të dy.
Megjithatë, të tjerë e lidhin përfundimin e romancës 1-vjeçare me skandalin që përfshiu së fundmi këngëtaren që për 2012 regjistroi fitimet më të mëdha në kategorinë e femrave. Skandali lidhet me të shkuarën e këngëtares, me martesën 3-vjeçare të dështuar me Kevin Federline. Është vëllai i reperit amerikan, Christopher ai që lëshoi bombën: Jam unë babai i dy fëmijëve të saj, jo Kevin.
Christopher ka ngritur një padi kundrejt këngëtares ku përvecse thotë se është ai babai biologjik i dy fëmijëve të saj, pretendon edhe se këngëtarja, “në ditët e vështira financiare” i ka vjedhur kartën e kreditit. Ai thotë se nuk kishte folur deri më tani për “hatër” të të vëllait.
Padia është regjistruar në gjykatë tashmë dhe pritet nga kjo e fundit zbardhja e së vërtetës për atësinë e Sean Preston dhe Jayden James, dy fëmijët që deri më sot të gjithë kishin bindjen se ishin produkt i martesës 3-vjeçare të Britney-t me Kevin Federline.
Top Channel