“Apologjia e vërtetë e Sokratit’, monodrama e parë në Teatrin Kombëtar, e nisi udhëtimin e saj 15 vite më parë. Mirush Kabashi ishte takuar herët në skenë me Sokratin, por guximi për ta sjellë të plotë për më shumë se 60 minuta i vetëm përballë publikut erdhi si një revoltë individuale nxitur nga realiteti absurd që përjetonte Shqipëria në vitin 1997.
Me armën e tij më të fortë, fjalën e lirë, Sokrati i Kabashit nisi maratonën e shfaqjeve për të ringjallur besimin tek të pashpresët. Atë vit kur në Teatrin Kombëtar ishin mbyllur dyert, veshur me “zhelet” e Ezopit të ikonës Kadri Roshi, artisti po “lindte” Sokratin e urtë e të mençur që do tu fliste shqiptarëve.
Oponent i pushteteve, me problematikën fatalisht të gjithëkohshme të marrë nga pamfleti politiko-satirik me të njëjtin titull i shkrimtarit grek, Kostas Varnalis, Sokrati i Mirush Kabashit thotë të vërtetat e intelektualëve me gjykim të shëndoshë, duke çjerrë maskën e klasës politike të cilitdo krah. Një monolog që bëri sallën të reflektojë e brohorasë.
Nga 22 qershori i vitit ‘97 e deri më sot, Sokrati ka thënë të vërtetat “thumbuese” në Shqipëri, Kosovë e botë rreth 130 herë në teatro, skena e salla prestigjoze. Mbi 20 shfaqje të kësaj monodrame kanë përfaqësuar për herë të parë Shqipërinë në disa festivale teatrore ndërkombëtare të nivelit më të lartë. Mbetet pjesa më e vlerësuar me çmime të para e Teatrit Shqiptar në aktivitete ndërkombëtare.
Është shfaqja për të cilën shtypi ka shkruar më shumë. Gjatë këtyre prezantimeve mjeshtri i madh i skenës, Mirush Kabashi, është vlerësuar si aktori më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar Teatror “Kajro ’97” në Egjipt (Sfinksi i Artë), në Festivalin Mesdhetar “Butrinti 2000” si dhe në Festivalin Ndërkombëtar “Kiev-Traverny” (Ukrainë) në vitin 2005.
Është nominuar për të njëjtin çmim në Festivalin Ballkanik të Monodramës në Maqedoni dhe në Festivalin Europian “Sllavia” në Serbi.
“Sokrati” ka qenë i ftuar nderi në shumë teatro: në Festivalin Ndërkombëtar Teatror në Kajro, në Festivalin Ndërkombëtar Bullgar “Teatri në Udhëkryq”, Festivalin Ndërkombëtar Grek “Neo Kozmos”, në Festivalin Ndërkombëtar “Teuta” në Mal të Zi, në “LA PALACE” në Paris në sallën koncertale të Bashkisë në Vjenë, në sallën e Akademisë së Arteve në Toronto, në sallën Romeu në Lion e shumë të tjera.
Së fundmi, i ftuar në kuadër të aktiviteteve të festimeve të 100-vjetorit Sokrati shpotitës ka folur shqip në sallën plenare të OKB-së në Gjenevë për trupat diplomatike të të gjitha vendeve.
“Ishte një nga kënaqësitë më të mëdha që më ka falur karriera ime. Sokrati është babai i demokracisë, sistemit më të mirë të mundshëm që ka prodhuar mendja njerëzore. Ai është një pasqyrë e madhe që të paraqet me të gjitha të mirat e të këqiat e tua. Sokrati i shërben shoqërisë dhe është kritik i politikanëve. Sokrati ka ç’ti thojë edhe demokracive të konsoliduara perëndimore e jo më asaj shqiptare”, theksoi Mirush Kabashi në studion e “Pasdite në Top Channel”.
Top Channel