“Mrekullia” shqiptare e boksit, mundjes dhe arteve marciale

11/01/2013 17:40

Reshat Mati, një 13-vjeçar shqiptar është shndërruar në një “kuriozitet kombëtar” në Shtetet e Bashkuara, falë aftësive të rralla luftarake që nuk janë parë kurrë mbase në të gjithë botën.

Nuk bëhet fjalë për një nga heronjtë e filmave aksion, as për ndonjë “Supermen” të kohërave moderne, por për një djalosh, që ka mrekulluar SHBA-në duke qenë nënkampion i vendit në boks dhe kampion absolut në mundje e dy disiplina të arteve marciale, në “kick-boxing” e “muay thai”, ku mbetet edhe i pamposhtur.

Aftësia e Matit për të qenë i pasfidueshëm në të gjitha këto stile shumë të ndryshme nga njëra-tjetra e ka vendosur atë në vëmendjen e disa rrjeteve të mëdha amerikane, midis të cilëve edhe faqja e “Yahoo”-s, ndërsa videot e tij janë publikuar edhe në “You Tube”.

“Ai nuk është bërë luftëtar, ka lindur i tillë”, shprehet babai Adrian Mati, ndërsa trajneri i klubit amerikan ku stërvitet, pranon se një “djalë i artë” si Reshati e ka vendosur në vështirësi, jo vetëm për vullnetin e tij të parreshtur për t’u stërvitur, por mbi të gjitha pasi brenda skuadrës, nuk ka më asnjë që pranon të ndeshet me të.

“Më pëlqen të luftoj dhe edhe atëherë kur më dhemb, vazhdoj të godas”, thotë 13-vjeçari, i cili ëndërron që brenda 2-3 viteve të ardhshme, të jetë në gjendje të kapë normën dhe të bëhet pjesë i ekipit olimpik amerikan.

Megjithëse duket e vështirë që ky talent të konkurrojë për ngjyrat e flamurit tonë, ato janë gjithmonë, në çdo ndeshje në kraharorin e tij, në bluzën me flamurin kuqezi dhe shqiponjën dykrenare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA