Messi: Dua të fitoj sërish Topin e Artë

11/01/2013 20:20

Leo Messi nuk është ngopur ende me Topin e Artë edhe pse më 7 janar e fitoi këtë çmim për herë të katërt në karrierë, si askush më parë në historinë e futbollit.

Argjentinasi i Barcelonës deklaroi për ‘France Football’ se dëshira e tij është të vazhdojë të koleksionojë Topa të Artë: “Shpresoj të fitoj të tjerë, por nuk është se jam i fiksuar. Dua vetëm të shfrytëzoj momentin.”

Sulmuesi, i cili në vitin 2012 shënoi plot 91 gola me Barcelonën dhe Argjentinën, theksoi se titujt kolektivë janë më “eksitues” se ata individualë: “E kam thënë gjithmonë: nuk ka gjë më të bukur se të fitosh me skuadrën. Cmimet si Topi i Artë nuk të shkaktojnë të njëjtën adrenalinë. Jam i lumtur për Topin e Artë, por nuk krahasohet me ngritjen e një trofeu. Kur mendoj për karrierën time, gjëja e parë që kujtoj është mbrëmja e Romës, kur fituam Ligën e Kampioneve ndaj Manchester United.”

Kur u pyet se pse harroi që në fjalimin përshëndetës pasi mori Topin e Artë FIFA të përmendte Tito Vilanovën dhe Eric Abidal, Messi shpjegoi: “Më vjen shumë keq. Aty nuk thashë gjithçka që doja të thoja. Nuk kisha përgatitur fjalim dhe nuk doja të harroja Titon dhe Eric-un, por mua më ndodh gjithmonë e njëjta gjë: emocionohem dhe humbas fillin.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA