Mustafa Nano – Mbrëmjen e 30 dhjetorit, disa persona, të pajisur me thika e sqeparë
kanë hyrë në Kishën e Shën e Premtes në Valsh të Elbasanit, dhe aty kanë
dëmtuar afresket me motive biblike të kësaj kishe, që është shpallur
prej kohësh si monument kulture i kategorisë së parë.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe ca ditë më pas, në datën 4 janar. Ky është versioni i një numri gazetash, të cilat, me sa duket, janë mbështetur në raporte të policisë, të kishës apo të Ministrisë së Kulturës. Ndonjë gazetë jep data të tjera (datën 29 dhjetor e 5 janar), por lidhur me atë që ka ndodhur bëjnë të gjitha të njëjtin raportim, d.m.th flasin për njerëz që kanë hyrë në kishë dhe kanë “punuar” më nge e me qejf për të zhbërë atë që ka bërë, ndoshta jo me të njëjtën nge, por sigurisht me të njëjtin qejf, Onufri, ikonografi ynë i famshëm i shekullit XVI.
Reagimi i specialistëve dhe i studiuesve ka qenë me tone dramatike, dhe ky fakt ka qenë lajmi më i mirë i këtyre ditëve. “Krim tejet i rëndë ndaj trashëgimisë kulturore e kombëtare shqiptare”, thosh Aleksandër Meksi. “Me këtë akt është grabitur, jo një afresk, por vetë historia”, thosh Apollon Baçe, që deri para ca kohësh ka qenë vetë në krye të drejtorisë së trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës. “Është një dëm i pakthyeshëm, pasi këto imazhe, sado të restaurohen, është e pamundur për t’i rikthyer në gjendjen e mëparshme”, thosh Izet Duraku, një studiues, e në të njëjtën kohë nëpunës në Ministrinë e Kulturës. Artan Shkreli, Artan Lame, Auron Tare, etj., të cilët janë dhe pjesë e një forumi civil për mbrojtjen e trashëgimisë e të cilët ishin të parët që e denoncuan ngjarjen, kanë ngritur zërin edhe ca më shumë.
Por për të kuptuar përmasat e dëmit të shkaktuar nuk lipset ndonjë formim e përgatitje prej arkeologu, etnologu, apo antropologu. Të vinte për të qarë tek shihje se si ishte shkarravitur e njollosur çfarë kish mbetur prej portreteve të shenjtorëve të ikonografisë biblike të vizatuara afro katërqind vjet më parë nga piktori ynë i periudhës postbizantine. Nuk ka nevojë pra të jesh ekspert, studiues e i pasionuar pas artit bizantin në veçanti, apo pas trashëgimisë, historisë e traditës së vendit tënd e të botës në përgjithësi, për ta përjetuar me dhimbje këtë që ka ndodhur në kishën e Valshit të Elbasanit. Çdo idioti të kësaj bote, mjaft që të kish një ide sado të zbehtë mbi lidhjet mes së tashmes e së shkuarës, do t’i dhimbte fakti që dikush ka hyrë me sqeparë e me thika (duket si detaj i ndonjë skenari hollyëood-ian) për t’iu vërsulur ca “sendeve” me moshë katërqind vjeçare, të cilat nuk janë krijuar nga natyra (edhe në këtë rast do duhej t’na dhimbte që ç’ke me të), por nga duart, shpirti e fryma e paraardhësve të vet.
Për fat të keq, nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë në Shqipëri gjatë këtyre viteve të fundit. Madje, ka ndodhur kohë pas kohe në historinë tonë që dikush t’u ketë shpallur luftë objekteve e veprave të trashëgimisë sonë kulturore. Pjesa më e madhe e trashëgimisë sonë në lëmin e arkitekturës, fesë, artit, kulturës, na ka ardhur e dëmtuar në shekuj; numërohen me gishtat e dorës ato objekte të trashëgimisë sonë etno-kulturore me moshë disa qindravjeçare, të cilat na kanë mbërritur, e mbahen, të palënduara deri në ditët e sotme. E në këtë kuptim, mund të ketë të drejtë Artan Shkreli kur thotë, në momente zemërimi e nervozizmi prej ngjarjes, se “qytetërimi ynë i shthurur nuk i meritonte ato kryevepra të artit europian” (e ka fjalën pikërisht për afresket e sapodëmtuara të Onufrit në kishën e Valshit; madje, Shkreli fliste për grabitje të afreskeve).
Ka dhe një të dhënë tjetër që flet në favor të tezës së Shkrelit. Është një e dhënë, të cilën e njohim, por që kjo ngjarje e Elbasanit na e risolli para syve. Është reagimi zyrtar, d.m.th reagimi i atyre që kanë fuqi, detyrë e të drejtë të miratojnë ligje, të marrin vendime, të bëjnë ndërhyrje në funksion të mbrojtjes e të valorizimit të trashëgimisë sonë kulturore e historike, pas asaj që ndodhi. Është një reagim që të lë pa fjalë. Kryeministri i vendit ka gjetur kohë të komentojë këto ditë edhe “Topin e artë” të Leo Messi-t (madje, si i ikur mendsh që është, gjeti arsye të shihte te kjo fitore e Messi-t një fitore të tijën elektorale), por nuk e ka parë të udhës të thotë një fjalë për afresket e shkatërruara të Onufrit. Dhe të mendosh që është po ky që ka hapur dhe po e mban gjallë, fushatën histerike me tone nacionaliste, është po ky që ka folur për muaj e muaj të tërë në pritje të datës së 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë mbi lashtësinë e madhështinë e këtij kombi.
Stilin e tij të heshtjes e ka adoptuar edhe ministri i tij i Kulturës, edhe zyrtarë të tjerë, edhe deputetë të mazhorancës që e kanë pasur në fokus, për shkak të profesionit apo pasionit, kulturën dhe historinë. I vetmi që ka folur ka qenë drejtori i trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Ols Lafe. Po çfarë ka thënë? Mos vallë na ka ngushëlluar, duke u zotuar për ndërhyrje energjike për të shkurajuar etno-vandalët e etno-brigantët shqiptarë, që u janë vërsulur asaj që na ka mbetur prej trashëgimisë? Jo, për fat të keq, ka ecur në binarë të tjerë. Ngaqë s’ka mundur e s’ka ditur se si t’na ngushëllojë (ndoshta një drejtor s’ka se si ta bëjë këtë gjë), ka thënë një frazë kapitullante (këtë mund t’na e kursente): “Faji nuk është vetëm i yni; është dhe i ndjeshmërive të pakta qytetare për çështje të trashëgimisë kulturore; shteti nuk ka mjete e fuqi t’i mbrojë e t’i ruajë 24 orë në 24 orë objektet e fondit të kësaj trashëgimie (marrë, jo fjalë për fjalë, nga Gazeta Shqiptare, numri i djeshëm)”.
Nuk e nderon ky qëndrim. Edhe sikur të ish nëpunës në Ministrinë e Financave nuk do t’i falej ky njëjtësim empathik me shtetin e dobët financiarisht. Bën vaki të jetë i pari dhe i vetmi specialist i kulturës që, në vend të ngrejë zërin kundër shtetit që nuk e vë ujin në zjarr, apo që nuk bën çmos të vihet vetë, në mbrojtje të trashëgimisë e të kulturës, e mirëkupton këtë shtet. Dhe nuk ofron asnjë zgjidhje në këtë situatë, a thua se paguhet, tok me të tjerët, për t’na thënë se “nuk kam se ç’të bëj”.
Në këto rrethana lind pyetja: Kush do duhet t’u dalë zot monumenteve të kulturës?
Top Channel