Arrestimi i ish-ministrit peruan

11/01/2013 00:00

Mediat peruane shkruajnë se është arrestuar në Shqipëri nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve Manuel Augusto Blacker Miller ish-ministri i Jashtëm në Peru në kohën e ish-Presidentit Fuxhimori, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992.

Gazetat e vendit amerikano-latin nuk citojnë burimin e këtij lajmi, por vetëm arrestimin duke e veshur me mister këtë ngjarje. Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka deklaruar në një komunikatë për shtyp se nuk e ka arrestuar peruanin dhe se Manuel Augusto Blacker Miller nuk rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Por burime policore jozyrtare i thanë Top-Channel se peruani Miller është ndaluar në Shqipëri në datën 10, sic raportojnë mediat vendase, por ai është lënë i lirë për të sqaruar pozicionin e tij deri të hënën në mëngjes. Sipas të njëjtave burime, thuhet se Interpol Franca e ka ngrirë për momentin ekstradimin e tij me arsyetimin se akuzat ndaj tij janë politike.

Deri sa të sqarohet ky pështjellim që rrethon misterin e ish-ministrit peruan i kthyer në biznesmen, një tjetër dyshim ngrihet mbi ardhjen e tij në Shqipëri. Mediat vendase në Peru raportojnë se ai ndodhet në Shqipëri që nga shtatori i  2012-ës.

Duke qenë se Shqipëria zotëron sistemin më të sigurtë, dyshimi ngrihet si u lejua që peruani të hynte në Shqipëri, përderisa ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pavarësisht pretendimeve ndaj akuzave të ngritura ndaj tij.

Ndalimi i Miller, vetëm shtatë muaj pas mbërritjes në Shqipëri, ngre akoma dyshime në lidhje me raportet e tij me autoritet shtetërore shqiptare. “Gazeta La Republika PE” duke i bërë një kronologji fshehjes së Miller, shkruan se më 15 Nëntor 2002 ai mbërriti në Majemi të SHBA ku ngriti edhe tre biznese.

10 vjet më vonë më 26 Shtator 2012, Interpoli njoftoi se Miller, i dënuar në mungesë me 15 vjet burg, udhëtoi nga aeroporti Nju Jorkut më 9 Shtator me destinacion Romën me avionin e linjës “Alitalia” numër 510/507 duke përdorur pasaportën me numër 4698977.

Sipas “Gazeta La Republika PE” një ditë më pas i kërkuari drejtësisë peruane ka mbërritur në Shqipëri dhe më 2 tetor 2012 Interpol Tirana njofoi zyrën qëndrore të Interpolit për mbërritjen e tij në Shqipëri. E njëjta gazetë thotë se më 10 Janar 2013 Interpol Tirana e arrestoi Miller.

Mediat peruane citojnë Prokurorin e Përgjithshëm të këtij vendi të ketë deklaruar se “Miller nuk duhet të ishte lënë të futej në Shqipëri. Ai duhet të kthehet në SHBA ku vijojnë procedurat e ekstradimit për në Peru”.

Reagon “Apolonia Investments”

Pas lajmeve për arrestimin e ish-ministrit të epokës së Alberto Fuxhimorit, reagon kompania “Apolonia Investments”, në krye të së cilës ishte Manuel Augusto Blacker Miller.

Përmes një deklarate ajo shpjegon mbërritjen e tij në Shqipëri më datë 10 shtator 2012 për të vazhduar investimet në impiantin e përpunimit të mbeturinave që ndodhej në Fier, përpjekje që kishte nisur në shkurt të atij viti.

Ai drejtonte aktivitetet e “Apollonia Investments SHPK” prej organizimit të saj në Tiranë, në korrik 2012. Përmes deklaratës shpjegohet për qendrimin e Miller në SHBA nga 2002 deri në shtator të 2012, përpara mbërritjes në Shqipëri. Aty mësohet për takimin e zhvilluar mes tij dhe kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqo në Nju Jork të Shteteve te Bashkuara. 

Në deklaratë thuhet se kompania ka ndjekur të gjitha hapat dhe proçedurat ligjore në Shqipëri dhe ka kopje të gjithë dokumentit dhe përgjigjeve të marra nga qeveria dhe bashkitë.

Në një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit dhe proçedurave ligjore kundër tij, shpjegon se në vitin 2009 të gjitha akuzat e ngritura kundër Blacker Miller u rrëzuan nga Gjykata e Lartë.

Në fund të deklaratës thuhet se më 10 Janar në mënyrë krejt të pavarur Blacker Miller me vullnetin e tij vizitoi zyrat e Policisë se Emigracionit në Tiranë, për të kontrolluar për vizën shqiptare.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA