Presidenti afgan Karzai në SHBA

10/01/2013 23:50

“Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani janë në kapitullin e fundit”.

Këto ishin fjalët e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Leon Paneta, teksa priti në Pentagon presidentin afgan, Hamid Karzai.

Vizita e tij në Uashington vjen në një moment shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht pas një viti të shënuar nga sulmet kundër trupave amerikane dhe atyre të NATO-s nga ushtarë dhe policë afganë, apo nga incidenti i djegies së Kuranit, që përfshiu trupat amerikanë, çka revoltoi shumë vendas.

Karzai do të bisedojë të premten me presidentin amerikan Barak Obama. Planet e tanishme parashikojnë tërheqjen e pothuajse të 68 mijë trupave nga Afganistani, deri në fund të vitit 2014. Por, ky plan varet nga shumë kushte: së pari, nëse afganët do të jenë të aftë të marrin përgjegjësitë e sigurisë.

Nuk është ende e qartë se cili do të jetë roli i amerikanëve, që do të qëndrojnë në Afganistan, nëse do të ketë një kontigjent në këtë vend. Disa analistë besojnë se talebanët po përpiqen për të ardhur në pushtet dhe janë në pritje të largimit të forcave amerikane dhe forcave të tjera perëndimore.

Top Channel