Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, në kushtet aktuale, nuk mund që të deklarohen nëse janë ‘pro’ apo ‘kundër’ bashkimit me një shtet tjetër.

Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë, pasi në nenin 1 të saj, pika 3, ndër të tjera thuhet: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Përveç kësaj, edhe mbajtja e një referendumi momentalisht është i pamundur, pasi Kosova nuk ka ligj për referendum.

Sipas profesorit universitar, Riza Smaka, i cili ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës aktuale të Kosovës, këto janë pengesat aktuale juridike, por kujton se Kushtetuta mund të ndryshohet…

“Kushtetutat mund të zëvendësohen edhe krejtësisht në raport me rrjedhat e zhvillimeve shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, ndërkombëtare, etj. Mirëpo, aktualisht kështu është gjendja. Kjo nuk do të thotë se është kështu dhe nuk do të bëhet kurrë. Kjo mund të ndryshohet, atëherë kur ne të bëhemi shtet tamam: funksional, efiçent, efikas, i mirëfilltë, dhe kur të hyjmë bie fjala në OKB. Më pas, si shtet sovran, ajo është e drejtë elementare”, tha Prof. Dr. Riza Smaka.

Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim janë dy subjektet politike parlamentare, që në programin e tyre kanë bashkimin me Shqipërinë.

Në Vetëvendosje thonë se nuk kanë marrë një iniciativë të tillë, pasi deri te referendumi shkohet kur të ndryshohet Kushtetuta, të hidhet poshtë plani i Ahtisaarit dhe të miratohet ligji për referendum, si dhe janë kundër idesë që bashkimi të bëhet në formë federate apo konfederate.

“Ne mendojmë që është e drejte dhe e pranueshme, vetëm bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, ku modalitetet do të diskutohen. Çfarëdo federalizimi i Kosovës me Shqipërinë, i cili nënkupton ngurtësimin e ligjeve aktuale në Kosovë, institucioneve aktuale në Kosovë ose atyre në Shqipëri, mendoj që nuk janë në rregull. Ne do të duhej të krijonim një shtet të ri, në kuptimin administrativ dhe ligjor, pas një bashkimi që do të ndodhte përmes referendumit”, tha Dardan Molliqaj, sekretar organizativ, Vetëvendosje.

Ndërsa në Lëvizjen për Bashkim deklarojnë se duhet të zgjidhet problemi shqiptaro-serb dhe më pas do të krijohej mundësia në Kushtetutën e Kosovës, kurse e vlerësojnë të domosdoshëm se bashkimi kombëtar duhet të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Futja në Kushtetutë e një neni që do të lejonte, ose heqja e këtij neni që pengon, mund të bëhet vetëm me eleminimin e shkaktarëve, që kanë shkaktuar këtë nen. Shkaktar është problemi shqiptaro-serb. Do të thotë është veriu i Kosovës (tri komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok) dhe problemi i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Zgjidhja e këtij problemi do të krijonte mundësi, që të parashikohet në Kushtetutën e Kosovës kjo mundësi, pra të eleminohet pengesa që ekziston”, tha Agim Kuleta, deputet i Lëvizjes për Bashkim.

Një ditë më parë, Aleanca Kuq e Zi ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë kërkesën zyrtare për një referendum për bashkimin kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA