SHBA rrit prodhimin vendas të naftës

09/01/2013 15:15

Prodhimi i naftës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të rritet me 25% deri në fund të 2014-s, duke arritur nivelin më të lartë të shfrytëzimit të rezervave kombëtare në 26 vjet, raportuan të mërkurën mediat amerikane.

Sipas “CNN”, ky vendim për rritjen e prodhimit lidhet me zbulimin e sasive të reja të mëdha të naftës së fundmi.

Si rrjedhojë e rritjes së prodhimit të SHBA-së, Administrata Amerikane e Energjisë parashikoi që çmimi global të ulet nga 112 dollarë për fuçi në 99 dollarë pas një viti.

Ndonëse sasia shtesë e naftës nuk do të ndikojë për të shndërruar SHBA-në në një vend eksportues, kërkesa e ekonomisë më të madhe të botës për naftë të huaj do të pësojë një rënie drastike, duke influencuar tregun.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës importonin 12,5 milionë fuçi naftë në ditë në vitin 2005, ndërsa në 2014-n, pritet që ky numër të reduktohet në vetëm gjashtë milionë fuçi në ditë.

Ndërkohë, prodhimi vendas, në nivelin e 6,4 milionë fuçive ne dite një vit më parë, do të rritet në 7,9 milionë fuçi në vitin e ardhshëm, niveli më i lartë që prej vitit 1988.

Top Channel