Referendumi në Britaninë e Madhe

09/01/2013 22:50

Fjalimi i rëndësishëm i kryeministrit britanik, David Cameron, për të ardhmen e Britanisë në Bashkimin Europian, duket se ka shqetësuar së tepërmi amerikanët dhe interesat e tyre gjeo-stragjike në Europë.

Sipas zyrtarit të lartë të administratës së Obama-s, Philip Gordon, për amerikanët është me interes një zë i fuqishëm britanik brenda BE-së.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit Gordon, në prag të takimit me homologun e tij britanik, David Lidington, tha se Britania është aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe se “ne kemi një marrëdhënie në rritje me BE-në, si institucion që ka një zë drejt fuqizimit në botë, ndaj dhe duam të ketë një zë të fuqishëm britanik në BE. Kjo është në interesin e Amerikës. Ne mirëpresim një BE, që e hedh vështrimin përpara, me Britaninë si pjesë e saj”.

Kryeministri Cameron ndodhet nën një presion shumë të madh nga partia konservatore për një referendum dhe ka premtuar se konservatorët do t’i ofrojnë votuesve një “shans real” për pozicionin e Britanisë në BE, në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2015.

Cameron kërkon që të jetë brenda BE-së, por kërkon ripërcaktimin e marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit.

Ndërhyrja amerikane, në debatin për të ardhmen e Britanisë në Europë, konsiderohet si një zhvillim mjaft interesant nga analistët, pikërisht në prag të fjalimit të rëndësishëm, që pritet të mbajë pas disa javësh kryeministri britanik, i cili mund të ndërrojë kursin e rrugëtimit britanik nëpër Europë.

Opozita e ka kritikuar qëndrimin e kryeministrit, pasi sipas saj Cameron është më i interesuar për unitetin e partisë së tij, sesa për interesin e vendit.

Për amerikanët, britanikët kanë qenë dhe janë historikisht aleatët më të mëdhenj të saj në Europë dhe përmes tyre, shohin edhe realizimin e shumë interesave amerikane në kontinent, ndërkohë që britanikët, përveç shumë arsyeve të tjera, nuk mund të injorojnë shqetësimin amerikan në këtë pikë.

Top Channel