Gjyshërit shpëtojnë fëmijët nga zjarri

09/01/2013 16:55

Ndërsa Australia po përballet me zjarret masive dhe temperatura të larta deri në 54 gradë celcius, një familje arriti të shpëtonte nga flakët duke qëndruar për orë në liqenin pranë shtëpisë.

Siç dokumentoi “Daily Maili”, flakët shkatërruan banesën e Tim dhe Tammy Holmes, në Tasmania, ndërsa ata ndodheshin në shtëpi së bashku me nipat e mbesat tyre.

Në një moment rreziku ekstrem, nën kurthin e flakës që kishte rrethuar të gjithë banesën, gjyshërit vendosën të merrnin fëmijët nën panik dhe të zhyteshin së bashku me ta në liqen, ku qëndruan përreth dy orë, deri në mbërritjen e ndihmës.

Gjatë dy orëve, anëtarët e kësaj familje u përballën me një nxehtësi mbytëse, tym të dendur dhe mungesën e oksigjenit, që detyroi gjyshërit të ngjisnin fëmijët mbi një strukturë druri në ujë, ku ata mund të merrnin frymë më mirë.

Pavarësisht kushteve ekstreme, gjyshi Tim Holmes ruajti një “qetësi olimpike” dhe nëpërmjet një aparati fotografik dokumentoi orët e tmerrit me disa foto, të cilat u bënë kryelajm në shumë media ndërkombëtare.

Pasi u shoqëruan në spital, anëtarët e kësaj familje iu nënshtruan analizave dhe për fat të mirë rezultoi se nuk kishin pësuar asnjë dëmtim afatgjatë.

Në një televizion kombëtar, nëna e fëmijëve, e cila ishte larguar nga shtëpia e ndodhur në krahinën e Tasmanias për të asistuar në një funeral, dëshmoi e tronditur se si kishte besuar se nuk do t’i shikonte kurrë më fëmijët e saj.


 
Ndërkohë, problemet e shkaktuara nga zjarret në Australi janë të gjithpërhapura, me faturën financiare që llogaritet deri tani në disa miliardë euro dëme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA