Shtëpia e Florije Peçit në Katjel të Prrenjasit është gjithmonë plot me njerëz që vijnë ta vizitojnë dhe kjo është gjëja që atë e lumturon më shumë.
“Ndihem shumë e kënaqur që kam familjen time dhe të afërmit e mi. Edhe në gjendjen që isha, gjithmonë i kujtoja të gjithë, nënën, babain, vëllain, motrat”, thotë Florija, e cila i mbijetoi aksidentit tragjik të 21 majit, në Qafën e Vishës në Himarë, ku humbën jetën 13 bashkemoshatarë te saj.
Është e pabesusehme për familjarët që ta shohin mes tyre të qeshë e të bisedojë me ta pasi qëndroi për 40 ditë në koma në spital në Austri.
Vëllai i Florijes, i cili i qëndroi pranë në çdo moment e ka të vështirë të kujtojë ditët e netët kur motra e tij nuk jepte shenja jete. “Vetëm unë e shihja nga familja në atë gjendje dhe ishte me të vërtetë shumë rëndë. Nuk e prisja që Florija mund të bëhej një ditë mirë dhe të ishte në këtë gjendje. Zoti është i madh”, deklaroi i vëllai.
Por, familjarët Florijen e njohin si vajzë të fortë e me vullnet, e dinin se do te luftonte deri në fund. “Florija, me vullnetin që ka, ka një ndryshim të madh nga dita në ditë. Ka një ndryshim shumë të madh çdo ditë që kalon”, shprehet një prej të afërmve të saj.
Nëna dhe motra e Florijes, të përlotura nga dhembja e lumturia në të njëjtën kohë pas kësaj ngjarjeje besojnë se mrekullitë ndodhin. “Falenderojmë doktorët për këtë që kanë bërë për vajzën time dhe Zotin për mrekullinë që na dhuroi. Jemi shumë të gëzuara që kemi Florijen në këtë gjendje”, deklaroi nëna e të mbijetuarës.
Nga ana e saj, Florije Peci e lumtur që po jeton një jetë të dytë kërkon të hedhë pas krahëve atë që ka ndodhur dhe është optimiste për të ardhmen.
“Dua të marr diplomën. Kjo është kryesorja për momentin dhe më vonë, mbase hyj edhe në punë”, shprehet Florija.
Top Channel