Dimri i acartë, alarm në Lindjen e Mesme

09/01/2013 15:30

Vendet e Lindjes së Mesme dhe rajoneve përreth përballen me një dimër të pazakontë, me temperatura disa gradë më të ulta se mesatarja sezonale.

Problematike shfaqet gjendja në Turqi, ku rreshjet e dendura të dëborës kanë paralizuar transportin ajror, por rreshje janë regjistruar edhe në disa vende të tjera të rajonit, si Libani apo Siria.

Në vendin e përfshirë nga lufta civile, në Siri, ky dimër veçanërisht i ftohtë shfaqet më shqetësues, për shkak të miliona banorëve të pastrehë, si rrjedhojë e shkatërrimit të banesave të tyre nga lufta.

Edhe ata sirianë që vazhdojnë të jetojnë në banesat e tyre, në shumicën e rasteve nuk mund të përdorin ngrohësit brenda banesave të tyre, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe karburantit.

Në internet, ditën e mërkurë u shfaqën video tronditëse, të një siriani që grumbullonte dëborë për ta përdorur si ujë në banesën e tij dhe të një nënë, që vajtonte fëmijën e saj pranë vdekjes, për shkak të pamundësisë për t’i rezistuar temperaturave nën zero.

Autitenciteti i videos nuk është mundur të konfirmohet nga rrjetet ndërkombëtare të lajmeve.

Në Liban, shqetësuese paraqitet gjendja në disa prej kampeve të refugjatëve sirianë, ndërsa në alarm për shkak të motit ekstrem është vendosur edhe Iraku, Irani apo Palestina.

Top Channel