Zamira Cavo – Sa herë z. Berisha, në cilësinë e Kryeministrit, thotë
ndonjë nga gënjeshtrat e tij madhore, që e bëjnë aq dramatik, gjithnjë
kam thënë me vete: mos vallë vërtet i beson këto që thotë? Në historinë e
politikës, një burrë shteti nuk thotë asnjëherë gjëra të cilat ai vetë
nuk i beson, politikani po. Ndaj dhe politikanë ka shumë, ndërsa burra
shteti fare pak.
Në historinë tonë të demokracisë, z. Berisha, në çdo dalje të tij publike, ka qenë një demagog i thjeshtë dhe tërësisht i lexueshëm. Kohët e fundit demagogjia e tij ka kapërcyer çdo limit të përmbajtjes së vet, duke u shndërruar në një butafori gënjeshtrash, të denja për çmime botërore! Sipas Kryeministrit, Shqipëria jeton kohën e saj të artë dhe bota e ka zili atë! Çdo mendje normale mendon se, z. Berisha nuk mund ta besojë dot Kryeministrin, në të kundërtën duhet besuar se gjendja e tij mentale nuk është e mirë. Por çfarë e shtyn Kryeministrin të kalojë kufijtë e demagogjisë në gënjeshtra kaq banale dhe qesharake? Mbajtja e pushtetit do të ishte përgjigjja e parë që të vjen ndërmend. Por nëse gënjen në mënyrë kaq të “trashë”, mundësitë për fitore janë më të pakta, pasi njerëzit që vuajnë në kurrizin e tyre krizën dhe mungesën e kushteve minimale jetike, nuk do të votojnë. Dhe Kryeministri këtë e di mirë, por vazhdon me teorinë e njohur “gënje se diçka do të mbetet!” Ajo që vlen të cilësohet është “frika” që ndien z. Berisha nga zgjedhjet e ardhshme. Kjo frikë nuk lidhet thjesht me humbjen e pushtetit, por me frikën e tij të brendshme se do t’i duhet të japë llogari, për të gjitha çfarë ka bërë me politikat publike, me pasuritë dhe të ardhmen e vendit. Kjo frikë është aq e dukshme, sa mjafton t’u largohesh fjalimeve të tij dhe të analizosh sjelljen e tij politike, për të kuptuar se çfarë e shqetëson në të vërtetë z. Berisha.
Në ditët e para të këtij viti elektoral po duken disa shenja që na bëjnë të shohim përtej gënjeshtrave të papara kryeministrore. Sjellja politike e z. Berisha ka ndryshuar paksa, duke na mundësuar të shohim sesi do të lëvizë loja e tij në këta 6 muaj.
– Z. Berisha kërkon me patjetër të fusë në kurthin e debatit “bosh” politik opozitën. Vetëm kështu ai e largon vëmendjen e opinionit publik nga gjendja reale. Nëpërmjet debatit virtual, Kryeministri mund të përdorë fare mirë gënjeshtra nga më të paparashikuarat. Në këtë mënyrë vihet në vend strategjia “gënje, gënje se do të mbetet diçka!”. Nuk është rastësore ajo çfarë ai shkruan në statusin e tij në “Facebook” se “i dukej bosh, pa cicërima janari”.
– Z. Berisha nuk e ka besuar Kryeministrin as kur ky i fundit ka kritikuar, fyer, e akuzuar Aleancën Kuqezi, për nacionalizëm e për aventurizëm, për bashkimin me Kosovën. Sot kur shikon që kjo forcë ka fituar terren, ndërron taktikë dhe i bën të vetat këto deklarata, duke i shtuar natyrisht edhe gënjeshtrat e radhës. Nuk ka si të mos vësh buzën në gaz kur dëgjon Kryeministrin që i jep urdhër ministrit të tij (Bumçi) të “ulet e të planifikojë kampionatin e përbashkët, me ministrin analog të Kosovës”… Natyrisht që z. Berisha nuk e beson që Kryeministri i Shqipërisë mund të urdhërojë një ministër të një shteti tjetër të veprojë! Aq më tepër z. Berisha nuk mund të besojë Kryeministrin në lidhje me hapësirat telekomunikative me Kosovën.
– Z. Berisha nuk e ka besuar Kryeministrin, kur ky i fundit ka akuzuar Ramën si “hajdut”, “kriminel”, “vrasës”, që po “mashtron njerëzit me taksën progresive dhe heqjen e taksave për disa kategori”. Ndaj ka nxituar t’i bëjë të vetat këto politika, me qëllim “çarmatosjen” e kundërshtarit nga elementet “e nxehta” të programeve të tyre politike. Nuk e ka besuar as kur e anatemonte me ciu-ciut e “Twitter”-it, sepse nxitoi ta kopjojë duke hapur “Facebook”-un që as nuk e shikon dot vetë.
– Z. Berisha do të bëjë rolin e “luftëtarit kundër korrupsionit” më fort se çdo herë tjetër. Dhe do ta bëjë! Sigurisht duke përjashtuar klanin e tij të ngushtë. Sinjalin e dha. Numrat e telefonave që u kërkoi ministrave ta publikojnë nuk kishte të bënte aq me numrat, por me një formë paralajmërimi për ministrat e tij. Për të ruajtur pushtetin, z. Berisha do të bëjë “spektakël” gjatë këtyre muajve kundër korrupsionit. Kjo do të thotë që do të kemi koka turku që Kryeministri do t’i përdorë për t’i rritur kuotimet politike Berishës. Dalja e z. Olldashi me ndjesë publike apo shfajësimet e shpejta të disa politikanëve të lartë për mospagimin e taksave, është vetëm një sinjal se sa e fortë do të jetë “lufta” e Kryeministrit. Në këtë pikë, z. Berisha e beson tërësisht Kryeministrin, pasi nuk mund të lejojë që kabineti i tij të fitojë më shumë se ai vetë dhe atij, si Kryeministër t’i mbetet “njolla”!
– Së fundi, z. Berisha jeton me ankthin e Kryeministrit të kapur keqas në ekonomi. Ndaj dhe duhet të presim agresivitetin e tij në rritje. Nga njëra anë politika e tij e tokës së djegur, (në rast se fiton opozita), do t’i mundësojë një politikë agresive dhe ndoshta dhe të dhunshme për t’u rikthyer sërish pas një viti në pushtet. Nga ana tjetër, gënjeshtrat do të vijnë duke u rritur në përputhshmëri me agresivitetin e tij politik. Në të dyja rastet, e ardhmja nuk duket aspak e qetë.
Top Channel