Winehouse “u shua” duke parë veten në “Youtube”

08/01/2013 20:00

Amy Winehouse ndërroi jetë duke parë veten në “Youtube”, pak kohë pasi i kishte thënë një mjeku që kishte humbur dëshirën për të jetuar.

Ky është përfundimi i një ekspertize të re të bërë mbi vdekjen e këngëtares, e bërë e nevojshme pasi autopsia pas ndarjes nga jeta rezultoi e kryer nga një mjek ligjor i palicensuar.

Ndërkohë, ekspertiza e dytë mbështeti përfundimin se zemra e 27-vjeçares pushoi pas konsumimit në një kohë të shkurtër të një sasie “të pabesueshme” vodke.

Sasia është vlerësuar midis 2-3 shisheve 750 miligramëshe, të konsumuara brenda dy orëve, sasi potencialisht fatale për çdo njeri, por që në rastin e Winehouse edhe më vdekjeprurëse për shkak të kurave të rehabilitimit që kishin ulur kapacitetin e trupit të saj për të përballuar efektet e alkoolit.

Ndërkohë, provat e reja të marra në konsideratë treguan se këngëtarja, në momentet e fundit të jetës, kishte parë video të videoklipeve të saja në “Youtube”.

Momenti i vdekjes kishte ndodhur natyrshëm, pasi si rrjedhojë e sasisë së alkoolit në gjak, nuk mund të mbushej më me frymë. Në momentin e vdekjes, Winehouse nuk ishte e ndërgjegjshme.

Midis provave përfundimtare të ekspertizës, edhe dëshmia e mjekut të saj personal, që tregoi se disa javë përpara fatkeqësisë, 27-vjeçarja kishte pranuar se kishte humbur dëshirën për të jetuar.

Megjithatë, provat përjashtojnë kategorikisht që vdekja e Winehouse të ketë qenë një vetvrasje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA