Ukrainë, Tymoshenko: Duan të më helmojnë

08/01/2013 15:35

Ish-kryeministrja e burgosur e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, ka frikë për jetën e saj.

Nga qelia e burgut të Kharkovit, ku po vuan vitin e dytë të burgimit 7-vjeçar për shpërdorim të fondeve publike, Tyshenko deklaroi të martën se ka zbuluar se në produktet kozmetike qe i vijne nga jashte burgut prej te afermve i janë shtuar materiale helmuese, me qëllim që të dëmtojnë shëndetin e saj të dobësuar nga probleme te tjera.

Në një reagim, autoritetet e burgjeve në Ukrainë u shprehën se nuk kanë asnjë informacion për çfarë do rreziku ndaj jetës së Tymoshenkos dhe përgënjeshtruan këtë informacion, duke thënë se kushtet në të cilat mbahet 51-vjeçarja janë “të përshtatshme” dhe në përputhje me “të drejtat dhe liritë e njeriut”.

Tymoshenko ka denoncuar edhe më parë abuzim ndaj saj në burg, ndërsa postoi në 2012-n foto të saj me disa hematoma të dukshme në trup, të cilat sipas ish-kryeministres ishin shkaktuar nga keqtrajtimi prej gardianeve.

Gjatë periudhës së burgimit, 51-vjeçarja ka vuajtur edhe nga probleme në shpinë e nga një hernie në disk, të cilat kanë kufizuar mundësitë e saj për të lëvizur e vetme.

Tymoshenko u gjet fajtore për shpërdorim të fondeve publike dhe tejkalim të kompetencave të saj si kryeministre në tetor 2011 dhe që prej atëherë mbetet e izoluar, një vendim që është kritikuar gjerësisht nga Bashkimi Europian dhe SHBA, të cilët konsiderojnë burgosjen e saj si një vendim politik të presidentit dhe ish-rivalit më të ashpër të Tymoshenkos, Viktor Yanukovych.

Top Channel