Rikthehen tensionet mes Japonisë dhe Kinës

08/01/2013 16:15

Japonia thirri ambasadorin kinez në Tokio, për t’i paraqitur zyrtarisht një notë proteste, ndaj prezencës së anijeve ushtarake në zonën ujore përreth grupit të ishujve të Senkakut.

Një arkipelag i përbërë nga shtatë mini-ishuj dhe disa maja kreshtash malore nënujore që dalin mbi ujë, ai i Senkakut (Diaoyu) është shndërruar në një “mollë sherri” midis dy superfuqive aziatike.

Megjithatë, kjo përplasje e re fitoi një vëmendje të shtuar mediatike, pasi ishte veprimi i parë i kryeministrit të ri japonez, Shinzo Abe, në mbrojtjen e arkipelagut.

Abe fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të muajit dhjetor 2012, duke premtuar përveç rigjallërimit të ekonomisë së tretë më të madhe në botë, edhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Përplasja e gjatë midis Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e arkipelagut, të ndodhur në një pozion thuajse të barazlarguar nga dy superfuqitë aziatike, u intensifikua pasi Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë vitit te shkuar.


Harta e “konfliktit” midis Japonise dhe Kines. Ishujt Senkaku, pretendohen gjithashtu prej Tajvanit, te vendosur ne jugperendim te tyre

Pekini e konsideron këtë mënyrë të fitimit të sovranitetit mbi territorin si ilegale dhe një “precedent të rrezikshëm” ndërkombëtar.

Gjatë dhjetorit, Kina parashtroi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një shpjegim të detajuar të të gjithë pretendimeve të saj territoriale mbi territorin, bazuar mbi fakte historikë dhe gjeologjikë, që paraqesin Senkakun si një vazhdim të natyrshëm të territorit kinez.

Zona detare, e cila përbëhet nga grupi i ishujve “mikroskopikë”, ka fituar një rëndësi të veçantë pasi studimet e fundit treguan se në tokën nënujore ndodhen rezerva nafte dhe gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA