Iran, fitimet nga nafta bien me 45%

08/01/2013 00:00

Të ardhurat nga nafta në Iran kanë rënë me rreth 45 për qind në 9 muajt e fundit për shkak të sanksioneve të Perëndimit, ka deklaruar një figurë politike iraniane.

Gholam Reza Kateb, një deputet i komitetit për planifikimin e buxhetit kombëtar, tha se ekonomia e vendit është në një situatë të vështirë.

Një shenjë e mëtejshme për këtë krizë është edhe fakti se ministri i Naftës ka ndaluar shitjen e karburantit për disa linja ajrore, për shkak të disa faturave të papaguara.

Eksportet e naftës përbëjnë të ardhurat kryesore për ekonominë e Republikës Islamike. Zoti Kateb tha se rënia e eksportit u raportua në Parlament nga vetë ministri i Naftës, Rostam Qasemi.

“Në bazë të këtij raporti, shitjet e naftës kanë rënë me 40 për qind dhe të ardhurat me 45 për qind në nëntë muajt e fundit”, tha zoti Kateb për agjencinë e lajmeve “ISNA”.

Në javët e fundit ministri i Naftës ka insistuar se Irani ka kaluar me sukses pasojat e sanksioneve. Ndërkohë, një numër linjash ajrore janë detyruar të anulojnë fluturimet.

Ajo që vepron është linja ajrore kombëtare, Iran Air, raporton korrespondentit i BBC, James Reynolds. Eksportet janë jetike dhe kanë mbajtur me para dhe në pushtet qeveritë fetare, shton reporteri.

Sipas tij, ndërsa problemi pritet të zgjidhet në ditët e ardhshme, anulimi i fluturimeve është një shenjë e pastër e problemeve që po has ekonomia iraniane.

Top Channel