Kreu i Avokatit të Popullit, Igli Totozani ka prezantuar sot dy
kandidaturat që i janë propozuar Parlamentit për miratim për pozicionin e
Komisionerit pranë institucionit që ai drejton. Kandidaturat janë dy
juristët Ermir Kapedani dhe Ardjan Hysa.
“Ne duam të kontribuojmë për një Shqipëri moderne, të vlerave të vërteta e të thella europiane, shembull për tu ndjekur në rajonin tonë, kundër tabuve dhe paragjykimeve. Ne dëshirojmë të japim jo vetëm një shans të barabartë për aftësinë e kufizuar, por edhe një shans për shoqërinë dhe vendin, për ekonominë, politikën dhe kulturën tonë, për të shfrytëzuar këtë kapital njerëzor të pamatshëm dhe të nënvlerësuar deri tani. Ne dëshirojmë të zbatojmë Konventën e OKB-së “Për të drejtat e aftësisë së kufizuar”. Gjithashtu të luajmë rol të rëndësishëm në përmbushjen e Rekomandimit 11 për Shqipërinë”,- tha thënë Avokati i Popullit gjatë prezantimit të dy kandidaturave.
Ermir Kapedani, është diplomuar në vitin 1996 në Fakultetin e Drejtësisë, në Tiranë, ndërkohë që vijon studimet në Degën e Administrim Biznesit. Ka qenë i angazhuar si Drejtor projektesh me fokus në fushën e të drejtave të njeriut, kryesish të personave me aftësi të kufizuar.
Kandidati i dytë, Ardjan Hysa, është diplomuar si jurist në në universitetin e Elbasanit, në vitin 2001. Ka marrë titullin Avokat pranë Dhomës së Avokatëve, ndërkohë që punon si jurist pranë bashkisë Belsh. Hysa është tepër aktiv në fushën e mbrojtjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.
Top Channel