Barroso: Kërcënimi për euron kaloi

07/01/2013 21:25

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, deklaroi se kërcënimi për mbijetesën e euros tashmë ka kaluar.

Sipas kreut të KE-së, pika e kthesës ishte shtatori i 2012-s, kur Banka Qendrore Europiane vendosi që të blinte sasi të pakufizuar të borxheve të vendeve anëtare.

Me këtë veprim, sipas Barrosos, investitorët kuptuan përfundimisht se drejtuesit e shteteve anëtare të BE-së i janë përkushtuar mbijetesës së monedhës së përbashkët.

Megjithatë, ai paralajmëroi të hënën se situata ekonomike mbetet “e vështirë”.

“Vendet anëtare janë ende të rënduara nga borxhet dhe lëvizjet për konsolidimin e buxheteve kombëtare janë vetëm në fillimet e saj”, deklaroi Barroso, në një fjalim të mbajtur në vendin e tij të origjinës, në Portugali.

“Megjithatë, lajmi i mirë për të gjithë është se në 2013-n, askush nuk do të shtrojë pyetjen nëse do të shpërthejë apo jo Eurozona. Besueshmëria e monedhës së përbashkët, varet mbi të gjitha nga vendosmëria dhe politikat e qarta të institucioneve që e mbështesin dhe hapin e parë, atë të rikuperimit të besimit, e kemi kaluar”.

Kreu i KE-së shtoi në fund se kriza aktuale e Eurozonës, nuk lidhet me një problem sistematik të Bashkimit Europian në vetvete, por me sjelljen e papërgjegjshme të disa vendeve anëtare, që ndër vite kanë grumbulluar borxhe të paqëndrueshme.

Top Channel