Indi, babai i studentes së përdhunuar: Publikoni emrin!

06/01/2013 00:00

Babai i studentes indiane që ndërroi jetë pas përdhunimit nga pesë persona në Nju Delhi të Indisë bëri apel që emri i vajzës së tij të bëhet publik dhe të jetë një frymëzim në luftën kundër fenomenit.

Publikimi i emrave të viktimave të përdhunimit, apo edhe ai i të afërmve të tyre ndalohet me ligj në Indi, një masë e kahershme kjo e vendosur për të mos stigmatizuar viktimat e këtij fenomeni mjaft të përhapur në këtë vend.

Në kushtet e anonimit, babai i studentes tha për mediat britanike se dëshiron që emri i vajzës së tij të bëhet publik që të shërbejë si një frymëzim për viktimat e tjera të sulmeve seksuale. Thirrjes së tij u është përgjigjur ministri Shashi Tharoor që urdhëroi autoritetet të zbardhin identitetin e saj, emër që do të përdoret në hartimin e një ligji të ri kundër përdhunimit.

Rasti i përdhunimit të 23-vjeçares në një autobus ndezi protesta të dhunshme në Nju Delhi. Protestuesit kërkuan dënimin me vdekje për autorët e krimit dhe fajësuan autoritetet për paaftësi në mbrojtjen e vajzave në rrugët e kryeqytetit, sidomos gjatë natës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB