Pas të ftohtit, afron i nxehti në Europë, nis vapa në Francë, termometri kap vlerën 38 gradë Celsius në Spanjë
Qindra mijëra mbështetës të fraksionit të liderit palestinez Mahmoud Abbas kanë mbajtur mitingje masive në Gaza për të shënuar 48-vjetorin e grupit Al Fatah.
Hamas, lëvizja që qeveris Gazën, u lejoi rivalëve të Fatah që të mbanin festimet atje për herë të parë që kur e rrëzoi këtë fraksion nga pushteti, 5 vjet më parë.
Dhënia e lejes për ditën e premte ka pasur si synim uljen e tensioneve mes dy palëve, raporton në edicionin e saj online BBC.
Muajin e kaluar, mbështetës të Hamas festuan themelimin e lëvizjes së tyre me një miting të rrallë në Bregun Perëndimor.
Hamas erdhi në pushtet në Gaza pasi fitoi zgjedhjet palestineze në vitin 2006 dhe duke spostuar Fatah nga kontrolli i enklavave në luftimet e ashpra të një viti më pas.
Në një fjalim të regjistruar dhe të transmetuar më pas në ekrane gjigante, presidenti Abbas tha: “Fitorja është e afërt dhe ne do të takohemi me ju në Gaza në një të ardhme të afërt”.
“Gaza ishte territori i parë palestinez që hoqi qafe pushtuesit izraelitë dhe kolonitë e tyre dhe ne tani duam ta heqim të gjithë bllokadën, në mënyrë që ajo të jetë e lirë dhe të lidhet me pjesën tjetër të kombit”, shtoi Abbas nga baza e tij në Bregun Perëndimor.
Turma të mëdha njerëzish, që mbanin në duar flamurin e verdhë të Fatah dhe portrete të presidentit Abbas, marshuan në Qytetin e Gazës për të përkujtuar edhe sulmin e parë të lëvizjes ndaj Izraelit.
Top Channel