Dhjetëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, për të pritur ndërrimin e viteve.

Nuk kane munguar as spektaklet e fishekzjarreve, te hedhur nga vete qytetaret, si ata qe kishin zgjedhur ta festonin ne shtepi, dhe ata ne restorante po ashtu.
 
Si çdo vit, edhe kjo feste eshte shoqeruar me incidente prej fishekzajrreve. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha per Kosovapress se janë shënuar dy raste të dëmtimeve me mjete piroteknike, si dhe djegia e një shtëpie në Ferizaj.

Një person ka humbur jetën nga zjarri, që kishte përfshirë çatinë e shtëpisë së tij, teksa ende nuk dihen shkaqet e rënies së tij.

Burime policore të Kosovapress kanë bërë të ditur, të martën rreth orës 00:05, se policia në Ferizaj ka pranuar një informatë, për një incident zjarri në një shtëpi banimi në rrugën “Aziz Kelmendi” të këtij qyteti.

Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, tha se njësitet policore, së bashku me zjarrëfikësit, i janë përgjigjur rastit dhe pas një kohe të shkurtër zjarri është vënë nën kontroll, por në tavanin e shtëpisë është gjetur edhe trupi i pajetë, i karbonizuar, i pjesëtarit 26-vjeçar të familjes, që banonte në këtë ndërtesë.

“Bazuar në hetimet e para dhe deklarimet e anëtarëve të familjes, rreth mesnatës, të gjithë anëtarët e familjes kishin dalë në oborr duke festuar ndërrimin e viteve, por kishin vërejtur se nga kulmi i shtëpisë së tyre dilte tym dhe flakë. Në atë situatë, të gjithë ishin munduar që ta vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa viktima kishte marrë një tubë plastike nga kroi në oborr dhe ka hipur në tavan, që të shuante zjarrin. Dyshohet se nga tymi dhe flakët, viktima është asfiksuar dhe nuk ka mundur që të kthehet pas”, theksoi Gashi.

Në bazë të raportit të policisë të orëve të para pas hyrjes së Vitit të Ri, del se në rajonin e Prishtinës ka pasur dy incidente si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve. Në një rast, sipas zëdhënësit Kelani, një qytetar nga Letanci i Podujevës ka pësuar lëndime të lehta trupore, kurse në Bregun e Diellit, kapesuar demtime automjeti si pasojë po ashtu e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Ndersa Mjekët në Qendrën Emergjente flasin për një natë më të qetë krahasuar me vjetët e kaluara. Agron Çitaku, mjek kujdestar në Qendrën Emergjente ka pohuar se deri në ora 2 e 30 të mëngjesit, kanë pranuar vetëm pesë raste të pacientëve me lëndime per shkak i përdorimit të mjeteve piroteknike.

Në anën tjetër, sipas Policisë së Kosovës, gjatë natës së festës së Vitit të Ri, situata ka qenë e qetë, me përjashtim të disa incidenteve të raportuara në Policinë e Kosovës. Si pasojë e përdorimit në mënyrë të gabuar të mjeteve piroteknike, janë lënduar 6 persona, ndërsa dy të tjerë nga arma e zjarrit, njëri prej tyre vetëplagosje dhe tjetri nga plumbi qorr.

Katër vetura janë dëmtuar nga përdorimi i gabuar i mjeteve piroteknike dhe nga arma e zjarrit, ndërkaq policia ka konfiskuar një armë zjarri gjatë ndërrimit të viteve. Krahasuar me festën e vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar më pak raste në festën e këtij viti, por, sipas Policisë, mund të ketë edhe raste që nuk janë raportuar në Polici, por që janë adresuar drejt e në qendrat mjekësore.

Fëmija i parë për 2013 ishte djalë
 
Fëmija i parë per 2013-n lindi ne Prishtine.Për ta përshëndetur dhe uruar nënën dhe Edin e vogël në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, shkoi edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahajga.
 
“Urova nënën për lindjen e fëmijës në këtë natë të vitit të ri. Nënës dhe Edit të vogël i dëshirova një jetë të gjatë të shëndetshme të lumtur dhe me shumë begati. Të kalojë një fëmijëri dhe një jetë afër dashurisë prindërore, familjare dhe një jetë të suksesshme dhe një të ardhme me plotë të mira dhe mbarë familjen e tij. Dua ta përgëzojë stafin dhe personelin e QKUK-së, klinikën gjinekologjike të Prishtinës dhe gjithë personelin dhe stafin e shërbimeve shëndetësore që gjithmonë japin shërbime kualitative dhe janë pranë qytetarëve”, tha Jahjaga.
 
Per nenen e tij,Edi  ishte dhurata me e bukur pas 5 vajzave.

Top Channel