
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, edhe një herë i bëri thirrje Kongresit të arrijë marrëveshje për të shmangur ngritjen e taksave dhe shkurtimet e thella qeveritare që hyjnë në fuqi më 1 janar. Por, tani hapi tjetër i dramës fiskale është në dorë të Senatit.
Obama e bëri të qartë në fjalimin e përjavshëm në radio dhe internet se ekonomia amerikane nuk është në gjendje të përballojë atë që ai e quajti “vetë-plagosje”. Dy ditë kanë mbetur nga e ashtëquajtura “greminë fiskale” dhe shpresat janë që sot të mund të gjendet një kompromis i minutës së fundit. Në lojë është fati i ekonomisë ende të brishtë të vendit që mund të zhytet sërish në recesion nga rritja e taksave dhe reduktimet 110 miliardë dollarëshe që do t’i bëhen shpenzimeve të brendshme e atyre ushtarake.
Liderët e Senatit, demokrati Heri Rid dhe republikani Miç Mekonëll, kanë punuar përgjatë gjithë fundjavës për gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me uljen e deficitit të Shteteve të Bashkuara me qëllim që të shmanget “katastrofa fiskale”. Mendohet se ata do të arrijnë të kenë gati një projekt-ligj për tu hedhur në votë në Senat sot ose nesër.
Dy udhëheqësit u shprehën me optimizëm se marrëveshja mund të arrihet pas takimit me Obamën në Shtëpinë e Bardhë të premten. Nëse senatorët nuk mund të hartojnë një marrëveshje që të miratohet nga Kongresi para skadimit të afatit, Rid do të paraqesë sipas kërkesës së presidentit, projektligjin për shmangien e pasojave nëse afati nuk plotësohet.
Cështja është sa do të arrihet të kapërcehet ngërçi i krijuar, përderisa repulikanët thonë se u takon demokratëve roli kryesor, ndërsa demokratët pretendojnë se është në dorë të republikanëve. Presidenti Obama propozon uljen e deficitit pjesërisht duke ngritur taksat për amerikanët që fitojnë mbi 250 mijë dollarë në vit. Republikanët kanë vënë si kufi një milionëshin.
Top Channel