
Drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste kanë vizituar me rastin e festave të fundvitit familjet e katër të vrarëve nga protestat e 21 janarit 2011.
Kreu i PS-së, Edi Rama, ishte në familjen e Aleks Nikës në komunën Kolsh të Lezhës, ku janë pritur nga prindërit, bashkëshortja dhe vajzat e Aleksit. Përtej urimeve tradicionale të vitit të ri, biseda me të atin e Aleksit nuk mund të shmangte procesin gjyqësor për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit, teksa familjarët e Aleksit kërkojnë vetëm drejtësi.
Në familjen e Hekuran Dedës në Kamëz, ku ishin deputetë dhe drejtuesit socialistë të zonës, varfëria është e tejskajshme. Por farsa, sipas Partisë Socialiste, që po ndodh me zbardhjen e vrasjes së djalit dhe vëllait të tyre është një dramë shumë më e madhe për pjesëtarët e kësaj familjeje.
Në familjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, kanë qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga deputetët e qarkut të Fierit.
Edhe në familjen e Ziver Veizit gjendja nuk ishte aspak më e mirë. Djali i Ziverit nuk ka shkuar në shkollë dhe pse duhej të ishte në vitin e parë gjimnaz, pasi gjendja ekonomike është ë rënduar dhe i duhet të punojë.
Ruçi u shpreh: “Ju ra një barrë e rëndë në një moshë të tillë. Erdhëm t’ju urojmë dhe t’ju themi se ju gjendemi pranë për dhimbjen e babait, jemi tërësisht të angazhuar që vërtetë babi s’kthehet më, por drejtësia do të vendoset. Ne nuk do t’ju lëmë vetëm në këtë çështje. Në një shtet normal duhej të mos mungonte kjo mbështetje. Jemi në këtë fazë që shteti që i vrau kërkon të bëjë dhe padrejtësi për të manipuluar provat. Do ta përballojmë si vjen bashkërisht”.
Top Channel