Nata e ndërrimit të viteve në Top Channel

30/12/2012 00:00

Një programacion të pasur, dedikuar të gjitha grupmoshave, ka përzgjedhur Top Channel për të festuar ndërrimin e viteve. Prodhimet e tij, por edhe ndër programet më të suksesshme të huaja, janë bërë gati për transmetim, pas një pune disa mujore.

“Përveç filmave artistikë, që si gjithmonë janë ndër më të fundit, me aktorë të jashtëzakonshëm e të nderuar me çmime, si dhe atyre vizatimorë, vëmendje e jashtëzakonshme i është kushtuar përgatitjes së prodhimit të vet Top Channel për Vitin e Ri”.

“Vëmendja fillon që më 31 dhjetor në mëngjes, ku “Wake Up”, me një studio e konceptim tjetër, do të vazhdojë deri në orën 10:00. Gati 2 orë e gjysmë do të jetë “Select” më vonë, për të shkuar te “Pasdite në Top Channel”, nga ora 17:00 deri në 19:30. I gjithi është i konceptuar si një argëtim për shikuesin”.

“Tri netë të “Fiks Fare”, më datë 31, 1 dhe 2, i cili vjen ndryshe nga të gjitha herët e tjera gjatë vitit, e më pas vijnë tre ‘show’-t e mëdha të Top Channel: është “Terminali Top Channel”, i cili është konceptuar si një terminal aeroporti, ku të gjitha ngjarjet ndodhin aty, kostumet e gjithçka. Si gjithmonë këtij ‘show’ i bashkangjiten edhe personazhe të tjerë të Top Channel, nga programet e tjera, me një muzikë të përzgjedhur, me valle, me balet nga trupa jonë e baletit. “Terminali Top Channel” do të jetë më 31 dhjetor në orën 21:15”.

“Dua vendin tim” dhe “Kape kohën” janë perceptuar ndryshe, sepse tek i pari, i cili do të jetë më 1 janar në orën 9, do të vihen përballë dy metropolet shqiptare, Prishtina e Tirana, dhe përfaqësuesit që do të luajnë në të dy skuadrat janë personazhe VIP. “Kape kohën” do të ketë përsëri dy kapitenë skuadrash dhe do të jetë sërish me personazhe VIP dhe të gjithë ata, që ne i shohim në një staturë tjetër, tani do t’i shohim në pozicione të ndryshme. Mbase dhe vet lojërat, që janë përzgjedhur veçanërisht për Vitin e Ri, do të kenë më tepër karakter humoristik”.

“Gjithashtu, Top Channel ka menduar edhe për programe të tjera, si për shembull koncerti “Different Trains”, ku morën pjesë 4 virtuozë shqiptarë. Një koncert emocionues, me ekskluzivitet në Top Channel. Kemi gjithashtu një program tjetër, “Kinemaja dhe yjet 2012” me aktorë e artistë të mëdhenj, i cili do të sjellë të gjithë filmat më të mëdhenj të vitit 2012 dhe atë çfarë presim të shohim në vitin 2013”.

“Mund të them se kjo javë, e cila do të jetë një festë, sepse të premten do të kemi “The Voice” live, të shtunën kemi “1001 pse” me fëmijët dhe Arbanën, për ta mbyllur javën e parë të vitit 2013 me Galanë e Top Channel 2012, i cili është i gjithi i përkushtuar rolit të femrës shqiptare në shoqëri, ku është dhënë edhe çmimi “Dritan Hoxha” legjendës së muzikës shqiptare, Vaçe Zelës”, tha Vjollca Dedei, drejtoreshë e Programacionit.

Programe të shumëllojshme për të gjithë familjen, për të festuar së bashku me të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!

Top Channel