
Trupi i 23-vjeçares, që ndërroi jetë pas përdhunimit në New Delhi të Indisë, është djegur në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytet, pak orë pas kthimit në atdhe nga Singapori.
Vajza luftoi për jetën e saj aq fort, sa edhe mjekët vetë u habitën, por dëmtimet në disa organe jetike ishin të mëdha. Funerali i studentes 23-vjeçare të mjekësisë, u mbajt mes masash të rrepta sigurie.
Një ritual zjarri hindu u zhvillua në nder të saj, me lutje që shpirti i munduar i vajzës të gjejë paqe dhe të ketë mbrojtje për të gjitha gratë e vendit.
Episodi i rëndë shkaktoi një valë indinjate në mbarë vendin, protesta e thirrje për ligje të ashpra kundër dhunës ndaj grave. Tubime paqësore u zhvilluan edhe gjatë ditës së sotme.
Qeveria indiane është kritikuar me forcë për reagimin e ngadaltë ndaj sulmit dhe druhet se zemërata popullore mund të shpërthejë në përleshje të dhunshme, ndaj kordone policie vazhdojnë të mbajnë të rrethuar zemrën e kryeqytetit.
6 vetë janë arrestuar për episodin e 16 dhjetorit dhe janë akuzuar për vrasje. Vajza po kthehej me një shokun e saj, pasi kishin parë një film; të dy ata u rrahën me shufra hekuri, 23-vjeçarja u përdhunua për gati një orë e më pas u hodhën të dy të gjakosur nga autobusi.
Nëse shpallen fajtorë, personat e konsideruar përgjegjës për këtë krim, rrezikojnë dënimin me vdekje.
Pavarësisht trazirave, që shkaktoi ngjarja e rëndë, dhe zotimeve të qeverisë për ndëshkimin më të rreptë ndaj atyre, që kryejnë krime të tilla, një tjetër episod i kësaj natyre, ndonëse jo i të njëjtave përmasa, u shënua po në një autobus të New Delhi-t.
Një vajzë u ngacmua seksualisht në një autobus linje dhe me të parë ç’po ndodhte, pasagjerët nxituan të ndihmojnë viktimën e të njoftojnë policinë. Nisur nga incidenti, ligjvënës të opozitës kritikuan qeverinë e sidomos ministrin e Transportit.
“Qeveria bën premtime të rreme e përpiqet të minimizojë rëndesën e situatës. Ministri i Transportit tha se në autobus do të vendosen roje sigurie, po ku ishin këto roje mbrëmjen e kaluar, kur ndodhi incidenti i ri?”, tha Vijender Gupta, i partisë Bharatiya Janata.
Pas ngjarjes, shoferi i autobuzit dhe faturinoja u pezulluan nga puna. Gratë në mbarë Indinë përballen çdo ditë me keqtrajtime, duke nisur nga abuzimet me fjalë, prekjet e papërshtatshme e deri në përdhunime, por në shumicën e rasteve, episode të tilla mbeten të pandëshkuara.
Top Channel