Jemen, avioni i telekomanduar godet al-Qaeda-n

30/12/2012 00:00

Të paktën 3 të dyshuar si militantë të al-Qaeda-s janë vrarë nga goditja e një avioni të telekomanduar në jug-perëndim të Jemenit, në provincën al-Bayda, bëjnë të ditur zyrtarë lokalë.

Personat janë goditur, sipas raportimeve, teksa po udhëtonin me makinë në fshatin el-Manaseh, në periferi të Radda-s. Zyrtarë të Jemenit thanë se njëri prej të vrarëve ishte një zyrtar i lartë operativ i al-Qaeda-s, Saleh Mohammed al-Ameri.

SHBA-të zakonisht nuk i konfirmojnë sulmet me avionë të telekomanduar, por ky mund të jetë sulmi i katër i dyshuar në Jemen, gjatë kësaj jave. Të premten, 2 militantë të dyshuar u vranë në provincën lindore Hadramout, ndërsa të paktën 5 të tjerë u vranë nga dy goditje më 24 dhjetor.

Një drejtues i fiseve lokale tha se makina, e goditur nga sulmi i orëve të vona të së shtunës, ishte shkatërruar plotësisht, ndërkohë që trupat ishin të shkrumbuar. “Trupat e tyre nuk mund të njiheshin, por qeveria tha se ata janë nga al-Qaeda”, tha ai për Reuters.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Sana, tha se personat e vrarë ishin “elementë të al-Qaeda-s”. Militantë të grupit terrorist kanë përfituar nga trazirat dhe ndarjet e qeverisë qendrore në Jemen, gjatë viteve të fundit, për të fituar terren.

Vendi konsiderohet tashmë si fortesë e al-Qaeda-s në gadishullin arabik (AQAP), të cilin SHBA-të e shohin si krahun më aktiv dhe vdekjeprurës të rrjetit terrorist. Ushtria amerikane ka dalë në mbështetje të qeverisë së Jemenit, në përpjekjet e saj për të larguar militantët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB