Tre anetare të komisioneve të tenderave dhe kryetari i komisionit në Ministrine e Brendshme janë paditur penalisht nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit për shpërdorim detyre.

Në një njoftim të ketij institucioni thuhet se në mënyrë të jashtëligjshme, komisioni në një tender ka skualifikuar ofertuesit me vlerën më të ulët.

Kontrolli është kryer në qershor në Ministrinë e Brendshme me objekt, zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare, për periudhën 1 janar 2011 deri më 31 gusht 2012.

Në përfundim të zbatimit të të gjithë procedurave të përcaktuara, u konstatuan shkelje të ligjit “Për prokurimin publik”, të kryera nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe veçanërisht nga kryetari i tij.  

Konkretisht: Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme me cilësinë Autoriteti Kontraktor, në disa procedura prokurimi ka kualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit disa operatorë ekonomik të cilët kanë paraqitur ofertat e tyre në vlera më të vogla se sa operatorët e tjerë pjesëmarrës.

Disa operatorë të tjerë pjesëmarrës në tender të interesuar për të dalë fitues, kanë paraqitur ankim administrativ pranë Komisionit të Prokurimit Publik për këto procedura.  

Nga vlerësimi i dokumentacionit të shqyrtimit administrativ të këtyre ankesave të marra nga Ministria e Brendshme dhe sistemi elektronik i prokurimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezultoi se komisioni ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, sepse ka skualifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit operatorët ekonomik të cilët kanë paraqitur ofertat në vlera më të ulta.

Bëhet fjalë për një dem ekonomik prej 225.6 milionë lekësh respektivisht, 163.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për ”Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Repartin Ushtarak 1030 ne Poshnjë” dhe 61.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit për Repartin Ushtarak 1001, Zall-Herr”.

Për sa më sipër, KLSH ka depozituar kallzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të figurës së veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” për Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik,  z. E. S. dhe 3 anëtarë të këtij Komisioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA