Punët e 8 nga 35 artistëve, të cilët aplikuan për të marrë pjesë në ekspozitën e përvitshme Onufri, janë përzgjedhur për t’u paraqitur në galerinë e Arteve në kryeqytet nga data 28 Dhjetor deri më 3 Shkurt.

Këtë vit, tema e ekspozitës, e cila vjen në edicionin e saj të 19-të, është bazuar në monologun e famshëm të Hamletit. Gjendja e personazhit të famshëm shekspirian, i cili duhet të vendosë nëse duhet të vazhdojë të luftojë apo t’i dorëzohet fatit, portretizon, sipas kuratorit Daniele Capra, më së miri realitetin që po përjetojnë artistët shqiptarë, në një vend, ku arti bashkëkohor vazhdon të shihet deri diku me një lloj kompleksiteti.

“Këta artistë janë përzgjedhur, sepse puna e tyre përmban një forcë të madhe, e cila është e bazuar mbi faktin e të qenit në të njëjtën kohë në realitet, por me një këmbë në imagjinatë. Titulli i ekspozitës rrëfen këtë lëvizje të vazhdueshme, e cila vijon nga monologu i Hamletit. Pra, të pranosh goditjen e fatit apo të reagosh. Ëndrra përfaqëson rrugëdaljen nga kushtet e vështira të jetës sonë”, tha Daniele Capra, kurator i “Onufri 2012”.

Pjesëmarrësit në ekspozitë kanë paraqitur disa punë secili, zgjedhje kjo sërish e kuratorit. Z.Capra mendon se kjo gjë e ndihmon më shumë publikun të kuptojë procesin krijues të artistit. Ndër punët e paraqitura ka piktura, videoprojeksione dhe fotografi. Veprat përcjellin te publiku atë dyzim midis shqetësimeve dhe problemeve të përditshme dhe botës së ëndrrës, ku njeriu fluturon i lirë drejt dëshirave të tij. Edhe ambjenti, gjysmë i ndricuar i sallës, është krijuar për të dhënë imazhin e një gjendjeje gjysmë ëndërrimtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA