Bionde, në vitin e tretë për finance dhe brune, në vitin e dytë për shkenca politike. Thënë kështu, nuk ka asgjë të çuditshme, tek këto dy motra.
Megjithatë, Viola dhe Petrula, kanë diçka më shumë se dy të reja të zakonshme. Ato janë velinat e “Fiks-Fare”, velinat më jetëgjatë të emisionit më të njohur investigative në vend.
Ditën e premte, të dyja, nga studio e “Pasdites” në “Top-Channel”, treguan jetën e tyre dhe tre vitet përkrah Saimirit dhe “Doktorit”.
Pasdite në “Top-Channel” – Si gjendeni në këtë format? Nuk mërziteni me praninë e njëra-tjerës?
Petrula: Ka raste. Të dyja ia themi njëra-tjeteës, mundohemi të gjejmë pak hapësirë të shkëputemi. Shkollë, mëngjes, kafe, balet, punë, shpi, gjithë ditën i bie bashkë.
Viola: Motrat përgjithësisht qëndrojnë bashkë, por ne na bashkon edhe puna. Sikur të mos ishim motra, prapë bashkë do të qëndronim, por ndonjëherë na duket sikur më shumë se motra, jemi edhe kolege.
Pasdite – Jeni shumë të ngjashme, por duhet të ketë gjëra që nuk i ndani bashkë?
Petrula: Padyshim, unë vazhdoj për shkenca, Viola për financë dhe takojmë të dashurit që nuk i kemi të njëjtit.
Pasdite – Pra, cilat janë historitë tuaja të fshehta, për publikun?
Viola – Unë kam tre vjet me Marionin dhe jemi shumë të lumtur akoma. Tani do të bëjmë një udhëtim. Është një karakteristikë për të dy që jemi të qëndrueshëm, jemi të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.
Petrula – Viola është gjithmonë e përgjegjshme. i dashuri im nuk është person publik, nuk kam çfarë të them. Personalisht pretendoj të kem në krahë një njeri si unë, që të përshtatet, por nuk është se jam e dhënë pas famës, që të zgjidhja dhe personin përkrah të famshëm
Pasdite – Përse mendoni se keni zgjatur tre vjet, më shumë se çdo çift tjetër vajzash më parë?
Viola – Mendoj se kjo lidhet me përgjegjshmërinë dhe korrektësinë, jo se të tjerat se kanë pasur, por ne kemi lënë edhe shkollën e i jemi dedikuar “Fiks”-it. Plus, nuk kemi pasur probleme me njëra-tjetrën. Mbi të gjitha, besoj se gjithçka lidhet me pëlqimin tek publiku.
Pasdite – “Fiksi” është hyrja juaj e parë në botën e spektaklit, pak kohë pasi u zhvendoset nga Korça në Tiranë. Si ndodhi kontakti me këtë emision?
Petrula: Viola e ka pasur gjithmonë shumë dëshirë diçka të tillë, ishte ajo nismëtarja.
Viola: Është e vërtetë se që e vogël më pëlqente shumë televizioni, por jo aktrimi, pasi e di që nuk kam talent. Kur u shpallën audicionet, i bëra një surprizë dhe mbusha formularet për të dyja. Kur Petrulën e telefonuan, ajo mbeti e shtangur dhe e emocionuar, pasi nuk e dinte apo e priste diçka të tillë.
Pasdite – A ishte e vështirë në fillim, që përkrah Saimirit dhe Doktorit t’i përshtateshit rregullave të emisionit dhe të ruanit seriozitetin pavarësisht batutave të tyre.
Viola: Në fillim na dukej më e lehtë, por kur futesh, sheh vështirësitë e vogla dhe njerëzxit që nuk i njeh. Batutat e tyre ishin pak ngacmuese, por edhe me ne ishin më tolerante më parë. Tani jemi ditë e natë me ata, ndajmë shumë gjëra dhe jemi mësuar.
Pasdite – Sa ju ka ndikuar “Fiks Fare” në jetën tuaj të përditshme?
Petrula: Personalisht, informacionet që kam marrë më kanë ndihmuar shumë në shkollë, edhe sepse shkencat politike kanë shumë të bëjnë me problematikën e jetës së përditshme.
Pasdite – Viola, the që nuk ke talent, por je e bukur, ke tre vjet në ekran, kërcen. Nuk të ka shkuar në mendje përse ekonomiku dhe jo një shkollë tjetër e lidhur më shumë me spektaklin?
Viola: Këtu ndërhyri edhe familja, pasi nuk është se kisha synim timin. Logjikova për mirë për momentin dhe punën që do të më mundësohet më vonë pas Fakultetit. Sivjet diplomohem, e nuk e di a do të vazhdoj direkt në botën time, pasi dua të provoj mundësitë që të çaj në botën e spektaklit
Pasdite – Kush ta nguliti idenë e mungesës së talentit?
Viola: E kuptova vetvetiu, e shikova vetë veten, jam pak tip i ndrojtur, emocionohem kur ka njerëz.
Pasdite – Ju merr shumë kohë sistemimi i vetes?
Petrula: Na harxhon kohë, por jo dhe aq shumë.
Viola: Ky është pasioni im, të rregulloj veten. Nuk ri dot pa rregulluar flokët, por nuk ri gjithë kohën kaq e kuruar, sidomos gjatë paradites, pastaj grimohem.
Pasdite – Do e shënoni në “CV” eksperiencën tuaj në “Fiks-Fare”?
Petrula: Patjetër, është pjesa më e bukur e jetës sonë. Kjo është puna më e bukur që mund të bëjë një vajzë, sidomos në këtë moshë. Për më tepër, kjo punë, na ka bërë që të jemi të pavarura.
Pasdite – Çfarë do të thotë të jesh e pavarur në këtë moshë?
Viola: Na ka mundësuar të jemi të pavarura që në moshë të vogël, jo vetëm prej pagesës, por edhe për shkak të vendimarrjes dhe kjo na ka rritur.
Petrula: Puna të jep pavarësi, kjo ditet. “Fiksi” është një trampolinë shumë e mirë për t’u zhvilluar më tej.
Pasdite – A do të vijë një edicion i katërt i “Fiks-Fares”?
Viola: Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, por nëse propozojnë, nuk e dimë si do të përgjigjeshim.
Top Channel