Gjermani, studentit i pritet gjuha nga islamikët

28/12/2012 01:00

Një student 24-vjeçar indian në Bonn të Gjermanisë, është sulmuar brutalisht nga ekstremistë islamik, të cilët i kanë prerë gjuhën, pasi ai refuzoi të konvertonte fenë, bëri të ditur policia gjermane të enjten.

Studenti u sulmua në prag të Krishtlindjes, kur ishte duke u kthyer në vendin e tij në Bonn. Agresorët e pyetën në lidhje me fenë dhe i kërkuan të konvertohej në fenë islame, duke e paralajmëruar se do t’i prisnin gjuhën nëse refuzonte, raporton Der Spiegel.

Studenti, i cili nuk është identifikuar, tha për policinë se u sulmua nga 2 burra nga pas shpine, pasi ai i kishte shpërfillur. Agresorët e goditën atë, i prenë gjuhën dhe e futën në një makinë. Zëdhënësi i policisë nuk dha detaje në lidhje me dëmtimet e pësuara, por tha se informacioni i dhënë nga viktima ishte i besueshëm.

Një kalimtar gjeti studentin dhe thirri menjëherë ambulancën. Ai u shtrua në një spital lokal dhe doli nga aty një ditë më pas.

Departamenti i policisë së Bonn-it, për krime të motiveve politike, ka nisur hetimet. Nuk është hera e parë këtë vit, që Bonn-i ka dalë në faqet e para të mediave, si rezultat i aktivitetit islamik në këtë qytet.

Në maj, një salafist u arrestua, pasi sulmoi dy oficerë policie gjatë një kundër-demostrate ndaj shfaqjes së karikaturave të Profetit, nga një parti popullore e krahut të djathtë. Në fillim të këtij muaji, një tjetër pjesëtar i grupit musliman-ortodoks kërcënoi se do të merrte pengje, në mënyrë që të detyronte lirimin e vrasësit.

Top Channel