Në intervistën e fundit të këtij viti, në emisionin e “Pasdites”, në “Top-Channel”, mbërriti një prej personazheve më të njohura televizivë për publikun shqiptar.
Gent Pjetri, i njohur ndryshe si “Doktori” i “Fiks-Fare”, tregoi 10-vitet e tij me emisionin më të njohur investigativ në vend, mënyrën se si transformoi jetën e tij personale qënia pjesë e “Fiksit”, të shkuarën e tij si roker, raportet e tij me femrat, divorcin dhe detaje të tjera të panjohura të jetës së tij.
Pasdite në “TCH” – A është e vërtetë ajo që thonë për ju, se nuk përsëritet dy herë e njëjta batutë?
Doktori – Ne kemi arritur në një pikë që nuk e kthejmë shpesh regjistrimin. Shumë rrallë ndodh të ketë dubla, pasi kemi fituar një ritmin tonë dhe e kemi shumë problem të na ndërpresin.
Pasdite – Përpara se të niste “Fiksi”, si erdhe ti dhe Sajmiri tek ky emision?
Doktori – Pronari i “Top-Medias”, i ndjeri Dritan Hoxha, e kishte konceptuar këtë emision dhe me një intuitë të shkëlqyer, tha “këta dy djemtë mund ta bëjnë”. Adrenalina e tij, ka qenë gjithmonë ajo që i ka dhënë jetë ëndrrave dhe ideve më të parealizueshme, duke elektrizuar të gjithë stafin.
Pasdite – Një emision si “Fiks-Fare”, shpesh prek edhe çështje të ndjeshme. Si e përballoni presionin?
Doktori – Është më e thjeshtë kur je një ekip i madh pune. Ne kemi një regjizor dhe drejtor që është mburoja e këtij emisioni, Filip Cakuli është ai që i përballon këto presione. Pa dyshim, ai është ingranazhi kryesor, pompa e këtij emisioni. Megjithatë, jemi të gjithë një, ndonëse si redaksi bëhemi 50 persona.
Pyetje e qytetarëve – Doktor, batutat ju vijnë vetë apo i përgatisni më parë?
Doktori – Vijnë në mënyrë mekanike. përgatitja është vetëm tema dhe shpjegojmë ligjin, nenin kushtetutën, por më pas vjen gjithçka natyrshëm, është organike.
Pyetje e qytetarëve – Ju kemi parë gjithmonë me flojë të gjata. A do t’i prisni ndonjëherë?
Doktori – Jo absolutisht, vetëm po mi prenë me dhunë.
Pasdite – Me flokët, vazhdoni të ecni pak në gjurmët e rinisë, kur ishit pjesë e një grupi muzikor?
Doktori – Më parë i kam pasur shumë më të gjata flokët dhe i kam pasion. Nuk është thjesht se i mbaj për modë apo se isha në një grup roku. E vërteta është se i kam me të vërtetë pasion.
Pyetje e qytetarëve – A keni në jetën reale të njëjtin humor dhe sarkazëm si në televizion?
Doktori – Për këtë duhet të pyesim kolegët, se unë them që jam po ashtu. Kjo edhe sepse siç thashë, batutat më vijnë në mënyrë mekanike. Por, ka raste kur vihesh në vështirësi, kur njerëzit të thonë na thuaj një të fortë. Kur je në një tavolinë, të bëjnë të gjithë pikë referimi dhe kjo ndonjëherë është e sikletshme, pasi batutat siç thashë, vijnë vetëm, nuk janë të forcuara. Humori është pak si zëri, është një dhuratë e lindur.
Pasdite – Çfarë urimi bëtë kur shkuat në kishë për Krishtlindjet?
Doktori – Që të vijë një vit sa më i mbarë për të gjithë shqiptarët. Fatkeqësisht, nuk arrita të shkoja sepse isha të gjithë ditën në punë. Unë shkoj kur mundem, por besoj në Zot dhe jam besimtar ortodoks.
Pasdite – Roker dhe besimtar ortodoks, nuk ka një konflikt këtu?
Doktori – Absolutisht, muzikën Zoti e ka bërë. Çdo gjë pozivite, në këtë sens, është e krijuar nga Zoti. A kam paqe me veten time? Paqe nuk mund të kesh kurrë në këtë jetë.
Pasdite – Roku, në vetvete, nuk është vetëm një pasion, por edhe një stil të jetuari.
Doktori – Pa dyshim. Roku është një mënyrë e të konceptuarit të jetesës. Në fillimin e viteve 1990, ne kemi pasur fatin që të përjetonim kohën e lulëzimit të rokut.
Pasdite – Si një këngëtar i suksesshëm, cilat kanë qenë raportet tuaja me femrat?
Doktori – Nuk them që kam pasur femra, por kam ndenjur dhe unë si të gjithë të tjerët me vajza. Në thonjza, kishim edhe ne fanset tona. Them në thonjëza, pasi nuk isha këngëtari i “Metallica”-ve apo ndonjë grupi të madh dhe rrethi ynë ishte i ngushtë. Në këtë drejtim, mbase për mua ishte disi më e kollajshme.
Pasdite – Sa ndikojnë çështjet personale në punë? Ti ke lënë pas krahëve edhe një martesë, për të cilën nuk ke dëshirë të flasësh.
Doktori – Jo, nuk kam asnjë kompleks në këtë drejtim. U martova, me një vajzë shumë të mirë, që vazhdoj ta respektoj me shpirt dhe këtë e them me të vërtetë, e kush më njeh e di shumë mirë. Por nuk qe e thënë. 2013? Jeta vazhdon, cikli është i tillë. Të gjithë kemi halle, sëmundje, probleme, por në punë është momenti që të lësh të gjitha jashtë. Fundja, nuk mund të prish dëshirën e qindra mijëra teleshikuesve, sepse jam sëmurë. Do mundohem një ditë, e punë e madhe, nuk do më ndodhë asgjë.
Pasdite – Përditshmëria e televizionit, sa e vështirë është të përballohet? Si ia bëni kur sëmuret dikush?
Doktori – Televizioni ka një punë masakruese. Kur kemi pasur sëmundje apo probleme, është ngarkuar më shumë kolegu ose janë futur gazetarë për të na zëvendësuar. Edhe kur Sajmiri ka pasur problemet e tij, kur ka bërë fushatë, gjithmonë kemi pasur këtë cikël.
Top Channel