
Opozita denoncoi në parlament ndryshimet në ligjin për prokurimet publike. Taulant Balla argumentoi nxitimin për miratimin e këtyre ndryshimeve pasi sipas tij qeveria ka vetëm një synim.
“Të legalizojë një formë korrupsionin tashmë ekzistente në sistemin e prokurorimeve publike. Doni të zhvilloni tendera publikë edhe me një ofertues të vetëm sepse keni merakun që të lidhni kontrata menjëherë, madje që me 3 janar. Sepse keni merakun që të gjithë fondin e parashikuar për prokurime publike ta kontraktoni për zgjedhje dhe deri më 23 qershor”, tha Balla.
Ky është i vetmi qëllim tha deputeti socialist, pasi ndryshimet sipas tij nuk rregullojnë disa nga mangësitë madhore të ligjit aktual të prokurimeve. Ai sërish përjashton Ministrine e Mbrojtjes.
“Arben Imami vazhdon të shesë skrap dhe në procedurat që aplikon nuk planifikon dhe nuk merr për bazë asnjëherë rregullat e prokurimit publik. Prandaj i lini këto hapësira në ligj që edhe në gjashtë muaj që i kane mbetur të shesë edhe atë pak skrap që i ka mbetur”, shtoi Balla.
Një tjetër moment që kërkonte rregullim nga ligji aktual i prokurimeve është ndarja e reklamës shtetërore, që i lë të drejtën qeverisë sërish të ndajë fondet për to në mënyrë klienteliste dhe larg transparencës.
“Kontratat për reklamat shtetërore që vazhdojnë me këtë ligj edhe me ndryshimet që erdhën vazhdojnë të mbeten një përjashtim nga rregullat bazë të prokurimeve publike. Ofertuesit mund të vlerësohen lehtësisht në bazë të shikueshmërisë dhe sigurisht transparencë publike për para që nuk dihet ku shkojnë. Si mund të harxhoni 7 milion dollarë? Për të mbajtur në këmbë televizionin e Sandrit dhe gazetën e Fahriut?! Ky është problemi që ka sot reklama shtetërore në këtë vend”, pohoi deputeti socialist.
Ndryshimet në ligjin për prokurimet publike gjithashtu nuk rregullojnë marrëdhëniet mes kontraktuesit dhe shtetit. Duke sjelle si të pashembullt rastin e mosshlyrjes së detyrimeve financiare që qeveria iu ka dhjetra kompanive që kanë kryer punë publike, Balla tha se këto tregojnë se ndryshimet në këtë ligj kanë vetëm efekt korruptiv.
Por pavaresisht, ndryshimet në ligjin për prokurimet u miratuan në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës.
Top Channel