Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dale ne mbrojtje shqiptarëve të Luginës së Preshevës, gjatë së enjtes.

Nga mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, ai ka thënë se ia ka dërguar mesazhin kryeministrit serb Daçiç, se në çdo rrethanë që cenon të drejtat e shqiptarëve në Preshevë do të ketë punë me të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në rajon.

“Shteti i Kosovës do të vazhdojë të jetë fuqishëm gardian i të drejtave të shqiptarëve që kanë jetuar nën ish-Jugosllavi. Këtë mesazh ia kam dërguar edhe kryeministrit Daçiç, se në çdo rrethanë që cenon të drejtat e shqiptarëve në Preshevë do të ketë punë me të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në rajon. Sepse shqiptarët në Preshevë duhet t’i gëzojnë të drejtat më afirmative, të kenë universitetin e tyre, të kenë hapësirën e tyre ekonomike, të drejtat më të acancuara kombëtare dhe natyrisht të kenë lëvizjen e lirë me kufij të hapur me Kosovën”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Për më tepër, kryeministri Thaçi tha se Kosova do ta mirëpret vullnetin e shqiptarëve edhe në Maqedoni e Luginë të Preshevës për të ardhmen e tyre, se si mendojnë për të jetuar së bashku në hapësirën euroatlantike në rajon.  

Këtë deklaratë, kryeministri e bëri gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, ku u vendos që më 26 janar të vitit 2013 të mbahet kongresi i partisë, ku do të zgjidhet kryetari dhe strukturat tjera drejtuese të kësaj partie.

“PDK do të vazhdojë të punojë për Kosovën, që të ndihet atdhe i të gjithë qytetarëve”, tha Thaçi.

PDK që nga nëntori ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor nëpër degë dhe sipas koordinatorit të zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, rreth 55 mijë persona kanë marrë pjesë deri më tani në këtë proces.

Top Channel