Të lirë, por të kontrolluar. Nën mbikqyrjen e syrit të satelitit që tregon vendodhjen me një saktësi marramendëse. Dikur, kontrolli i të dënuarve të liruar me kusht me anë të pajisjes GPS mund të ngjante si fantashkencë, por është një fakt në ditët e sotme.
Në shembullin e disa vendeve perëndimore, vendi ynë pritet që nga janari i vitit të ardhshëm të përdorë pajisje të teknologjisë së lartë për të rritur sigurinë dhe për të ulur njëkohësisht koston e mbikqyrjes së personave.
Tashmë, vetëm të dënuarit për krime të rënda do t’i nënshtrohen dënimit me burg, ndërsa të dënuarit për krime më të lehta do të vuajnë dënimin në shtëpi.
Pajisja është një byrzylyk i instaluar në këmbën e personit, i cili nëse nuk respekton parametrat e caktuar të lirisë, rrezikon të futet sërish në burg duke mos pasur më të drejtën e lirisë me kusht.
Gjykata do të vendosë përdorimin e byrzylykut me kërkesën e vetë të dënuarve apo prindërve të të miturve. Mekanizmi mund të përdoret vetëm me konsensusin e personit ndaj të cilit bëhet mbikqyrja dhe nëse tentohet të hiqet me forcë, salla operative njoftohet në kohë reale.
Të gjitha të dhënat e lëvizjes do të transmetohen në sallën operative. Kur informacioni në hartë do të transmetojë daljen nga zona e lejuar ose konstatohet dëmtimi i pajisjes elektronike, salla informative do të njoftojë personin dhe policinë.
Nga nisma mendohet të përfitojë publiku i gjerë për faktin se do të rritet siguria publike. Në rastin e personave që kryejnë vepra penale kundër të miturve, sistemi do të paralajmëronte rrezikun sa herë që një person i tillë i afrohet një shkolle.
Mbikqyrja elektronike përdoret gjerësisht në vendet e BE-së dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel