Lajmet e mira nga bota

27/12/2012 18:30

Nëse ka pasur një lajm të mirë në vitin 2012, u desh të pritej fundi i vitit për ta marrë atë. Pikërisht fakti që bota nuk mbaroi më 21 dhjetor ishte lajmi më i mirë i vitit për të gjithë ata që e pritën me ankth datën e Maya-ve.

Por meqë një pseudo-datë për fundin e botës nuk u provua shkencërisht, nuk do të thotë që ky nuk ka qenë një vit i mirë edhe për shkencën. Përveç dhjetëra zbulimeve si grimca e Higgs në laboratorin CERN, më i rëndësishmi vjen nga fusha e shëndetësisë. Bëhet fjalë për një lajm të tetorit të këtij viti kur u njoftua zbulimi i proteinës që kuron tumorin në kokë. Objektivi: të përdoret aty ku kimio dhe radio-terapia kanë dështuar përgjatë viteve.

Por lajmet më të mira të vitit vijnë nga fusha e solidaritetit njerëzor. Duket se 2012 ka qenë plot me shembuj pozitive që vërtetojnë se dashuria për njëri-tjetrin nuk ka dhe nuk duhet të mbarojë.

Le të përmendim një rast të rëndomtë: Një i panjohur ka vendosur një mbulesë plastike tek xhami i makinës së dikujt që e kishte harruar atë disa centimetra hapur në një ditë shiu në Londër. Mbishkrimi thotë: Nuk doja që makina juaj të lagej. Ditën e mirë!

Uragani Sandy në Amerikë shkaktoi përveç përmbytjeve dhe një dallgë shumë të madhe solidariteti njerëzor. Një familje nxorri prizat e shtëpisë jashtë pasi ishin ndër të paktët që kishin ende energji elektrike. Ata ftuan të panjohurit të karikojnë celularët për tu lidhur me të dashurit e tyre.

Dy prindër në Kanada kanë bërë tatuazh në bark një pompë insuline në mënyrë që fëmija i tyre i mitur që vuan me diabet mos të ndihej ndryshe.

As dashuria në çift nuk ngelet mbrapa. Një djalë që ka humbur të gjitha gjymtyrët dhe një vajzë simpatike ia kanë dalë të qëndrojnë bashkë dhe të dashuruar mes vështirësive të pafund që sjell një gjendje e tillë.

Një nga lajmet më të mira të vitit, krahas atyre që kanë fituar llotaritë, vjen nga Londra. Mustafai është personazhi i vitit. Megjithëse një shitës i varfër peshku në një nga tregjet e kryeqytetit britanik, ai është konkurenti më i fortë për Gangnam Style në internet. Kënga me të cilën ai fton klientët tek peshku i tij që kushton një paund është bërë hit dhe madje ka arritur t’i sigurojë emigrantit pakistanez të ardhurat e para dhe madje një kontratë nga një kompani muzikore.

Në fund, por jo për nga rëndësia, ka bërë xhiron e botës një foto ku duket kampioni i regbisë australiane duke i çuar kupën e fitores së kampionatit një prej fansave më të zjarrtë. Bëhet fjalë për një fëmijë të sëmurë, e cila ndiqte nga dhoma e saj e spitalit të gjitha ndeshjet e ekipit të zemrës. Të nesërmen e ngritjes së trofeut, tifozi i vetëm që e pa nga afër kupën ishte vogëlushja në fjalë.

Top Channel