Vuçiç në Francë: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës, duhen vendime të guximshme Viti 2013 do të jetë koha kur Kosova do të bëjë një hap të madh, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Megjithëse nuk shpaloset hapur ky plan, ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku thotë se në arkitekturën e re të mbrojtjes dhe sigurisë, vendin e parë pritet ta ketë Ushtria e Kosovës.
“Nuk ka shtet pa ushtri”, thotë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke shprehur qartë se synimi është që Kosova të jetë një shtet normal dhe i qëndrueshëm.
“Nuk ka shtet pa ushtri. Ushtria e bën një shtet funksional dhe të qëndrueshëm, që mbron qytetarët e vet. Ju së shpejti do ta shihni kthimin e FSK-së në ushtri”, tha Çeku.
Këtë deklaratë ministri Çeku e bëri pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, ku bashkë me komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin, raportuan për punën gjatë vitit 2012.
Anëtarët e komisionit vlerësuan pozitivisht punën e bërë dhe nuk patën kritika, por problemi i vetëm që u shfaq gjatë mbledhjes ishte mungesa e shpeshtë e energjisë elektrike.
I pyetur nëse FSK është e gatshme të mbrojë Kosovën nga ndonjë pushtimi të jashtëm, në këtë rast nga Serbia, Çeku tha se NATO është këtu sepse Serbia po paraqet problem për stabilizimin e situatës në përgjithësi dhe se natyrisht që FSK është e gatshme të mbrojë Kosovën.
“Ende Serbia po paraqet probleme dhe NATO do të mbetet këtu derisa të stabilizohet tërë rajoni. Ekspertët ushtarakë nuk e përjashtojnë mundësinë e një sulmi, por e mbajnë si probabilitet të vogël”, tha Çeku.
Edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi thotë se kjo është krejtësisht e kuptueshme, pasi një shtet funksional duhet t’i ketë të gjitha standardet.
Muajin e kaluar Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me uniforma të reja, ku integriteti territorial i Kosovës është i paraqitur në çdonjërën prej tyre.
Top Channel