
Ashtu siç ishte paralajmëruar, një sistem i fuqishëm stuhish goditi jugun e Shteteve të Bashkuara ditën e Krishtlindjeve, duke shkaktuar edhe tornado, përfshirë vorbullën e ajrit që u përplas mbi qytetin e vogël Mobile të Alabamës.
Dëme të mëdha dhe ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan aty, por jo viktima në njerëz. Një vdekje u regjistrua nga ana tjetër në Teksas, ku një 25-vjeçar humbi jetën nga rrëzimi i një peme në rrugë, ndërsa një vajzë 28-vjeçare vdiq në Oklahoma në një aksident rrugor, pasojë e shtresës së akullit në rrugë.
Për disa shtete të rajonit, këto Kërshëndella ishin si rrallëherë të bardha. Stuhi e reshje dëbore u regjistruan nga Arkansasi deri në jug të Ilinoisit. Në disa zona, sipas agjensisë së lajmeve Reuters, shtresa e dëborës atje ka mbërritur në më shumë se 30 centimetra.
Më herët u njoftua se stuhia dimërore që hodhi gati dy metra dëborë në Kaliforni po zhvendosej drejt lindjes, ndërsa pritet të godasë zonat e populluara verilindore nga fundi i javës.
Erërat e forta, shi dhe borë shoqëruar me stuhi kanë shkaktuar çrregullim të fluturimeve në aeroportet e Nju Jorkut, Filadelfias dhe Uashingtonit.
Top Channel